Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka njoftuar se një 21-vjeçar është shpëtuar i gjallë nga rrënojat e një ndërtese, pas tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 të shkallës Rihter që goditën Venezuelën disa ditë më parë.
Sipas Bukeles, bëhet fjalë për Aaron Levi Cantillo Vargas, i cili mbeti i bllokuar nën rrënojat e ndërtesës OPP 25, në sektorin Tanaguarena, në famullinë Caraballeda të shtetit La Guaira.
Operacioni i shpëtimit u realizua falë bashkëpunimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit nga Venezuela, Meksika dhe El Salvadori, të cilat punuan për orë të tëra për të arritur tek i riu.
Në një postim në rrjetet sociale, Bukele e cilësoi shpëtimin e 21-vjeçarit si “një mrekulli”, ndërsa bëri të ditur se Aaron Levi Cantillo Vargas po merr tashmë kujdes të specializuar mjekësor.
“Pas orësh intensive pune të përbashkët, Aaron Levi Cantillo Vargas, 21 vjeç, është shpëtuar i gjallë. Falënderojmë Zotin që e bëri të mundur këtë mrekulli. Ne vazhdojmë punën me shpresën për të shpëtuar edhe më shumë jetë”, shkroi presidenti i El Salvadorit.





