Një operacion ndërkombëtar kërkim-shpëtimi ka sjellë një histori shprese mes tragjedisë që ka goditur Venezuelën. Një djalë 12-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat, pesë ditë pasi mbeti i bllokuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin.

Carlos u shpëtua në lagjen Macuto, në qytetin bregdetar të La Guaira, nga ekipi i kërkim-shpëtimit Usar Ecuy-01, në bashkëpunim me ekipin e Republikës Dominikane.

Pas orësh të gjata pune, ekipet arritën ta lokalizonin dhe ta nxirrnin të gjallë nga rrënojat, duke i dhënë fund pesë ditëve të vështira nën ndërtesat e shembura.

Ndërkohë, në të njëjtin qytet ndodheshin edhe më shumë se 100 shtetas venezuelianë të riatdhesuar nga Shtetet e Bashkuara. Ata ishin akomoduar në një hotel vetëm pak orë para se vendi të goditej nga dy tërmete të fuqishme. Fluturimi kishte mbërritur nga Miami me 146 persona në bord, mes tyre gra dhe fëmijë, të cilët pritej të ktheheshin në banesat e tyre ditën pasuese.

Dëshmitë e të mbijetuarve flasin për momente paniku dhe ndërtesa të shembura, ndërsa shumë persona mbetën të bllokuar nën rrënoja.

Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve venezueliane, bilanci i tërmetit ka kaluar 1.700 viktima, ndërsa mijëra persona të tjerë janë plagosur ose janë zhvendosur nga banesat e tyre. La Guaira mbetet një nga zonat më të prekura nga dy lëkundjet sizmike me magnitudë 7.2 dhe 7.5.