Një djalë 3-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, duke u kthyer në një simbol shprese mes tragjedisë.
Fëmija, i identifikuar si Klieber Morán, u shpëtua nga një ekip kërkim-shpëtimi nga Jordania në shtetin La Guaira, një nga zonat më të prekura nga lëkundjet sizmike. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur ekipet e shpëtimit brohorasin sapo 3-vjeçari nxirret nga rrënojat.
Fëmija mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua në një spital në Karakas. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e qëndrueshme. Shpëtimi i tij vjen jashtë periudhës kritike prej 72 orësh pas një tërmeti, kohë gjatë së cilës ekspertët thonë se mundësitë për të gjetur të mbijetuar janë më të larta.
Ndërkohë, bilanci i tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ka shkuar në 1,943 viktima, mbi 10 mijë të plagosur dhe dhjetëra mijëra persona të zhdukur.
Sipas vlerësimeve paraprake të NASA-s, rreth 58,870 ndërtesa janë dëmtuar ose janë shkatërruar nga tërmetet.
OKB-ja ka paralajmëruar se dhjetëra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim, strehim dhe ndihmë humanitare. Agjencia e OKB-së për Refugjatët thekson se mungesat e ushqimit janë të përhapura, ndërsa shërbimet bazë dhe komunikimet në La Guaira mbeten të ndërprera.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve infektive, për shkak të kushteve të vështira dhe mbulimit të ulët me vaksina.
Në zonat e prekura vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit me pjesëmarrjen e ekipeve ndërkombëtare nga disa vende, ndërsa ndihmat humanitare po mbërrijnë gradualisht për banorët e prekur.





