Partia socialiste synon të konfirmohet në qarkun e Durrësit koalicion i parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dega e PS-së ka nisur prej mëse një muaji punën intensive në terren për organizimin e strukturave, shpjegimin e programit elektoral në bazë dhe me grupet e interesit si dhe afrimin e sa më shumë të rinjve pranë koalicionit të majtë. Kreu i degës së Durrësit, Alfred Mullaraj, deklaron se një vëmendje e veçantë i është kushtuar punës me të rinjtë në universitete dhe shkollat e mesme të qytetit, ku janë caktuar koordinatorë shtesë. Informaliteti i listave zgjedhore do të jetë prioritet gjatë kësaj fushate deklaron Mullaraj, ndërkohë që siguron se në zgjedhjet e qershorit e majta do fitojë në qarkun e Durrësit me 4000 vota diferencë ndaj asaj që ai e cilëson neodiktaturë.  

PS-ja prej disa javësh ka nisur punën në terren për të përgatitur strukturat e saj për fushatën e 2013. Ku jeni përqendruar konkretisht?

Që në muajin shtator ne kemi ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pas tetë viteve në opozitë do të bëjmë përpjekjet maksimale që të jemi fitues në këto zgjedhje. Qeveria aktuale tashmë është konsumuar në pushtet, ndërkohë që kriza ekonomike që ka përfshirë vendin i ka lodhur qytetarët.

Ne kemi bërë takime të shpeshta me koordinatorët e lagjeve si dhe me bazën socialiste. Jemi përqendruar sidomos tek “krehja” e listave zgjedhore si dhe jemi angazhuar për të luftuar informalitetin e këtyre listave. Kemi konstatuar se ka një pjesë shumë të madhe zgjedhësish që nuk dihet se ku janë.

Nga zgjedhjet e kaluara ka dalë në pah se vetëm 40-50% e popullsisë voton, ndërsa pjesa tjetër e ka bojkotuar procesin zgjedhor ose ndodhet në emigracion. Gjithashtu një pikë tjetër të cilës do t’i kushtojmë rëndësi është ruajtja e votës. Është e çuditshme që brezit tonë, brezit të atyre që shembën diktaturën i bie prapë barrë që të ruajë votën në këtë sistem, që unë e quaj neodiktaturë.  

Ju i keni mbyllur tashmë zgjedhjet në strukturat drejtuese të forumeve të partisë. Ajo që të bën përshtypje në zgjedhjen e kryetares së forumit të gruas në qytet dhe në qark është votimi i hapur, ndërkohë që PS ka qenë e para parti që ka aplikuar “një anëtar, një votë”. Pse është vepruar në këtë mënyrë në këto raste?

Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetares së gruas në qytet dhe në qark kanë marrë pjesë të gjitha gratë socialiste dhe kanë zgjedhur dy socialiste shumë të mira. Në të dy rastet nuk di të ketë pasur ndonjë problem, pasi janë zgjedhur dy femra me kontribute. Në qytet u zgjodh Drita Zeneli, një socialiste e vjetër, ndërsa kryetare e qarkut u zgjodh një vajzë e re për t’i dhënë më tepër freski dhe fuqi më të madhe Partisë Socialiste. Dihet që gruaja është një forcë e madhe në shoqëri. 50% e votuesve janë femra, prandaj ne i kushtuam një rëndësi të madhe këtij procesi.

Po përse nuk u zbatua parimi “një anëtar, një votë”?

Është zbatuar, megjithëse votimi u bë i hapur. Të gjithë gratë pjesëmarrëse kërkuan njëzëri që në postin e kryetares së gruas në qytetin e Durrësit të ishte Drita Zeneli, ndërsa Alda Kushi u zgjodh me votim të hapur nga delegatet nga i gjithë qarku dy javë më parë.

Një pikë tjetër të cilës do t’i kushtojmë rëndësi është ruajtja e votës. Është e çuditshme që brezit tonë, brezit të atyre që shembën diktaturën i bie prapë barrë që të ruajë votën në këtë sistem, që unë e quaj neodiktaturë

Një nga direktivat që ka dhënë kryesia e PS-së është zbërthimi i programit në bazë. A ka nisur puna në këtë drejtim?

Kjo pjesë tashmë ka filluar. Partia Socialiste ka hartuar një program elektoral shumë të mirë për të gjithë shqiptarët. Në vazhdimësi ne kemi parashikuar të zhvillojmë shumë takime dhe tryeza me grupet e interesit për sektorë të veçantë si ekonomia, shëndetësia, arsimi. Në të njëjtën kohë do të punohet me grupet e punës për të zbërthyer programin me bazën socialiste dhe elektoratin.

Sa do të jenë të angazhuara strukturat e FRESSH-it në këtë fushatë?

Një vëmendje të madhe në qytet i kemi kushtuar punës me të rinjtë. Dua të përgëzoj këtu strukturat e forumit rinor, sepse kanë bërë një punë mjaft të mirë dhe kanë mundur të afrojnë pranë PS-së shumë të rinj e të reja. Në forumin rinor, përveç koordinatorëve që funksionojnë pranë çdo lagjeve kemi caktuar edhe koordinatorë që do ta përqendrojnë veprimtarinë e tyre pranë universitetit dhe shkollave të mesme. Jam shumë i kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe besoj se deri në zgjedhje do të kemi rezultate edhe më premtuese. 

Në zgjedhjet e fundit lokale kryebashkiaku Dako fitoi me një diferencë të konsiderueshme votash. Mendoni se do arrini ta ruani këtë diferencë deri në zgjedhje?

Çdo parti pas 8 viteve në opozitë kërkon të marrë pushtetin. Qëllimi ynë kryesor në këto zgjedhje është që në qytet të arrijmë të marrim votat që morëm për kryebashkiakun Vangjush Dako. Megjithëse në zgjedhjet e fundit LSI dhe PDIU ishin në koalicionin e djathtë ne arritëm të ngushtojmë diferencën nga 8 mijë vota në 4 mijë vota. Deri në zgjedhje nuk dihet se si do të shkojë puna e koalicioneve, por e theksoj se qëllimi ynë kryesor është të mbledhim të gjitha votat që mori Dako në garën për kryetar bashkie. Nëse e arrijmë këtë koalicioni jonë del i pari në qytetin e Durrësit.

Po përsa i përket rezultatit në nivel qarku?

Edhe për qarkun, situata paraqitet optimiste, pasi po të mbledhim gjithë votat e marra nga kryetarët e komunave dhe bashkive në rang qarku, që u zgjodhën nga rradhët e PS-së ne jemi 300 vota para.  

Sa deputetë do të arrijë të nxjerrë PS-ja nga qarku i Durrësit në zgjedhjet e ardhshme?

Ne kemi një objektiv të qartë për zgjedhjet e 2013: Të arrijmë të mbledhim si koalicion 4000 vota më shumë sesa kundërshtarët tanë. Besoj se është një objektiv i prekshëm, nëse do t’u referohemi statistikave në rang qarku në zgjedhjet lokale të 2013.

Në këtë fushatë elektorale do të garojnë edhe dy parti të reja; AK dhe FRD. Mund të rrjedhin vota nga koalicioni juaj drejt këtyre formacioneve politike?

Jo, nuk besoj. Kjo për faktin se ato janë dy parti të djathta, e kanë deklaruar vetë këtë gjë. Nëse do rrjedhin vota drejt tyre ato do të jenë nga kampi i djathtë. Të dy këto parti duken agresive në fushatën që kanë nisur të bëjnë. Gjithsesi ne jemi të hapur kundrejt këtyre dy forcave politike për të bërë koalicion me ta, për të përmbysur këtë regjim që është vendosur në vend.     

Nga kontaktet e shpeshta që keni me bazën socialiste, cili është perceptimi i tyre për situatën në vend?

Varfëri ekstreme, numri i atyre që marrin ushqime me listë po shtohet, njerëzit janë të pakënaqur, çdo kush nga ne ka më pak lekë në xhep. Shumë besojnë se kjo qeveri po shkon drejt fundit të saj. Kjo mazhorancë qeverisëse nuk i duhet më këtij populli.   

Përflitet shpesh në media se megjithëse jeni ju kryetari i PS-së në qytet, partia drejtohet në të vërtetë nga kryebashkiaku Dako. Reagimi juaj për këtë?

Unë dua të theksoj se bashkëpunimi im me kryetarin e bashkisë është shumë i mirë dhe shumë i frytshëm. Nuk diskutohet që fjala e kryebashkiakut Dako ka peshë në parti, pasi është i vetmi kryetar që është anëtar i kryesisë së PS-së. Në të njëjtën kohë ajo ç’ka bërë për Durrësin është e prekshme nga të gjithë.

A do të përfshiheni në listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme?

Kjo gjë vendoset nga strukturat e partisë, por qëllimi im parësor është të kontribuoj maksimalisht për rrëzimin e kësaj mazhorance.