Tjetër sihariq vjen për sportin durrsak, nga pallatit i sportit “Asllan Rusi” i Tiranës. Të shtunën e 6 tetorit u zhvillua kampionatit kombëtar i mundjes së lirë. Teuta e Durrësit kishte si objektiv të meritonte për të katërtin vit radhazi titullin kampion. Trajneri i Teutës dhe i ekipit përfaqësues, 60 vjeçari Fuat Brahi deklaronte para veprimtarisë se durrsakët shpresojnë të ruajnë hegjemoninë e këtij sporti në vend. Dhe nga mënyra se si u zhvillua kampionati, u tregua më së miri epërsia në tapet e mundësave të Teutës.

Durrsakët morën pjesë me dy ekipe Teuta A dhe Teuta B. Ajo që vlen të evidentohet është fakti, se në 7 pesha konkurruese Teuta A meritoi 5 vende të para. Ekipi kampion me 5 kampionë e bëri edhe më të dukshme epërsinë e mundësave të Teutës ndaj rivalëve të tyre. Serinë e titujve kampionë e çeli Islam Islamaj në peshën 55 kg. Rivali i tij ishte Haxhi Sina i Teutës B. Në peshën 60 kg Imirjan Rabdishti, nuk u tut para përpjekjeve të tiranasit Eno Çakshiri duke e detyruar këtë të fundit të dorëzohej.

Dyluftim shumë i ashpër në peshën e tretë 66 kg. Mundësi i Teutës Elton Azuni nuk mundi të dilte fitues ndaj Vilson Ndregjonit të Tiranës. Sahid Prizreni, nga mundësit më cilësorë të vendit, vendosi forcën e muskujve të tij në tapet teksa mposhti njëri pas tjetrit disa kundërshtarë dhe është pa diskutim i pari në peshën 74 kg. Në dy peshat e tjera të rradhës në 84 dhe 96 kg, shkëlqen pjesëmarrja e dy vëllezërve Shala, Edonit dhe Egzonit. Që të dy kampionë duke i dhënë tjetër bukuri titullit më të fundit kampion të Teutës.

Egzoni në finale u ndesh me shokun tjetër të ekipit Glodian Ahmetajn. Pranë titullit kampion ishte edhe Emiljan Sinameta në peshën e rëndë 120 kg. Por përballë tij ishte mundësi me përvojë tiranas Fatjon Bare. Në përfundim Teuta meritoi titullin kampion për herë të katërt, me pesë mundës kampionë.

Ky sukses i madh është fryt i punës së jashtëzakonshme, që kryen prej më shumë se 20 vitesh mjeshtri i tapetit Fuat Brahi dhe brezi më i ri i mundësave durrsakë, pjesa më e madhe e të cilëve janë edhe anëtarë të ekipit përfaqësues. Me këtë arritje, mundja e lirë durrsake konfirmon dominimin e saj dhe shpreh punën dhe kujdesin e madh që tregohet në këtë sport edhe nga klubi shumësportësh Teuta.