Trajneri Sylvinho publikoi sot listën e 24 futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në dy kualifikueset e fundit të Euro 2024.
Një ndër mungesat në këtë listë ishte edhe mbrojtësi Enea Mihaj, i cili nëpërmjet një postimi në Instagram, ka sqaruar se përse nuk do të jetë me kuqezinjtë.
“Për fat të keq, për shkak të një dëmtimi jo serioz, unë nuk do të jem në gjendje të jem pjesë e skuadrës kombëtare në ndeshjet e ardhshme. Mungesa më trishton, por e di që shokët do të japin gjithçka për të siguruar kualifikimin në Euro 2024. Paçi fat djema”, shkruan Enea Mihaj, autor i 15 ndeshjeve me fanellën kuqezi.
25-vjeçari luan në Portugali me Famalicaon dhe ka pasur paraqitje pozitive në këtë sezon duke qenë edhe një alternativë e rëndësishme për kombëtaren.
Më 17 nëntor, Shqipëria luan përballë Moldavisë në transfertë dhe tri ditë më vonë kundër Ishujve Faroe në “Air Albania”.