Një mbrëmje mjaft e ngarkuar me punë ka qenë kjo e ditës së hënë për efektivët e zjarrfikëses së Durrësit.

Pas zjarrit në Kodër Vilë, ku du dogj një sipërfaqe me pisha, një tjetër vatër zjarri u regjistrua në afërsi të një kapanoni pranë autostradës Durrës-Tiranë.

Më pas, një tjetër vatër zjarri u konstatua në Shkozet, pranë një magazine.

Pas zjarrit që përfshiu një automjet në lagjen nr.8, flakët përfshinë dy zona me shkurre tek fusha e rërës, lagja nr.18 dhe në Arapaj.

Fatmirësisht, në të gjitha rastet nuk ka pasur dëme materiale, ndërkohë që të djegura janë sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.

Falë punës profesionale nga ekipi i zjarrfikësve të Durrësit dhe portit, flakët u vunë shpejt nën kontroll në të gjitha vatrat.

Me rritjen e temperaturave, rritet rreziku për rënien e zjarreve, prandaj drejtori Velaj ka një apel për qytetarët: “Qytetarët të tregohen të kujdesshëm në rrugë, pyje, plazhe etj. Në çdo rast konstatimi zjarri telefononi në numrin 128. Një bisht cigareje në këto ditë të nxehta merr jetë, shkakton dëme të pallogaritshme në pyje dhe biznese. Njoftimi i shpejtë nga qytetarët na ndihmon dhe ne në punën tonë si në kohë dhe forca”.