Milwaukee Bucks tregon dhëmbët edhe në përballjen e 4-t të serisë së finaleve të NBA ndaj Phoenix, duke lënë të kuptohet se deri në këto momente parketi është një faktor deçiziv në duelin mes tyre. Në Fiserv Forum në Ëisconsin, Bucks triumfuan me rezultatin 109-103 duke barazuar në 2-2 serinë e finaleve dhe për të përcaktuar skuadrën kampione të këtij edicioni në NBA do të luhen minimalisht 6 ndeshje. Davon Booker nuk mjaftoi për Phoenix Suns, edhe pse skuadra nga Arizona e nisi shumë mirë ndeshjen duke e mbyllur periodën e parë me një rezultat parcial 23-20 në favor. Por falë lojës së shkëlqyer të dyshes Giannis Antetokounmpo-Khris Middelton, Milwaukee ishte më mirë në periodën e dytë me dy skuadrat që shkuan në pushim në baraspeshë të plotë.

Perioda e tretë foli më shumë për Phoenix që e frymëzuar edhe nga paraqitja fantastike e Booker autor i 42 pikëve në total në këtë duel arriti të shënonte 6 pikë më shumë në këtë 12-minutësh duke krijuar përshtypjen se në këtë sfidë të 4-t do të buzëqeshte skuadra e trajnerit Monty Williams. Por në periodën e 4-t dhe atë të fundit të lojës, Milwaukee e mbështetur fuqishëm edhe nga 16 mijë e 911 spektatorët në Fiserv Forum arriti të përmbyste plot 9 pikë disavantazh duke marrë një fitore të madhe me shifrat 109-103 që barazoi në 2-2 serinë e finaleve të mëdha të NBA ndaj Phoenix. Khris Middelton realizoi 40 pikë në këtë përballje për vendasit ndërkohë që greku Antetokounmpo spikati me 26 pikë 14 rebound dhe 8 asiste. Tashmë seria e finaleve do të zhvendoset në Arizona për ndeshjen e 5-të.