Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e katër të pandehurve të inceneratorit të Tiranës Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi për t’u gjykuar me procedurën e zakonshme, si dhe për ndarjen e çështjes nga pjesa tjetër.

Gjyqtarja Elsa Ulliri gjithashtu pranoi kërkesën e 8 të pandehurve të tjerë për gjykim të shkurtuar.

Konkretisht të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj.

Në seancën e ardhshme, pritet që prokurori Dritan Prençi të japë konkluzionet për 8 të pandehurit, ndërkohë që për katër të tjerët do vijojë gjykimi.

Dosja e inceneratorit të Tiranës kaloi për gjykim në datë 13 dhjetor të vitit 2024. Në datë 2 gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.

Për inceneratorin e Tiranës, ish-deputeti socialist Alqi Bllako njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete.

Kjo për shkak se, Bllako akuzohet për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit. Çështja ndaj tij është në fazën e dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorisë.