Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për arrestimin e djeshëm të zyrtarëve policor të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se nga dhjetë të arrestuarit, pesë prej tyre janë liruar dhe pesë të tjerë jo. Katër janë serbë e një shqiptar.

Sipas Kurtit akti i ndalimit e arrestimit është akt hakmarrës me qëllim nxitjen e tensioneve.

“Dje pas kalimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia u hakmor.  Dje ndaloi përmbi 20 orë qindra qytetarë tonë të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinacion por si tranzit, për t’u kthyer apo për të shkuar në Bashkimin Evropian. Në mesin e të ndaluarve dhe arrestuarve është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Sipas informacioneve që kemi, zv drejtori Jankoviq është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm të Serbisë. Dje gjithsej kanë qenë në ndalim 10 zyrtarë të Policisë së Kosovës, serbë dhe shqiptarë të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdare, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe serbisë. Pesë nga ta janë liruar, ndërkaq pesë janë akoma në mbajtje duke përfshirë edhe zv drejtorin Jankoviq. Aty janë edhe Sinisha Miliq, Zoran Marinkoviq, Boban Simeunoviq dhe Ramiz Ibrahimi.

Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes  ndaj Kosovës ndërkaq keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës po ashtu akt i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë. Me veprimin e djeshëm Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011, për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022, për lëvizje të lirë me karta identiteti mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe për fqinjësi të mirë.

Ndalimi dhe mbajtja arbitrare dhe e pabazë dhe keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, vetëm e vetëm se e përdorin Serbinë si vend tranzit na risjell kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviqit, duke na e rikujtuar kështu se ajo ngelet e njëjta ngase udhëhiqet nga një ish vartës i tij. Veprimi hakmarrës i Serbisë është edhe akt për nxitje të tensioneve sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti paqja e qetësia në rajon e sidomos në Kosovë”, tha Kurti në fillim të mbledhjes së qeverisë.