Ndonëse numërohen raste të shumta të bllokimit të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit, tendenca për të kaluar këto substanca të ndaluara përtej kufinjve rezulton të jetë në rritje. Dje policia bllokoi një tjetër sasi, ndërsa vuri në pranga “korrieren” që ishte duke e transportuar drejt Italisë.

Sipas policisë së Durrësit, Dorina Cara, 26 vjeçe, nga Lezha, u arrestua pasi në mjetin tip Benz Mersedez me targa AA 058 FC  me të cilin udhëtonte u gjetën 86 pako të mbështjella me natriban brenda së cilave ishte futur lëndë narkotike e llojit cannabis sativa. 26-vjeçarja do të shkonte tek disa të afërm të saj që jetojnë në shtetin fqinj, ndërsa ka deklaruar se nuk ka patur dijeni për praninë e lëndës narkotike në mjetin që drejtonte. 26-vjeçarja do të udhëtonte drejt Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.

Efektivët e policisë kufitare kishin marrë informacion se rreth orës 22.00 të së shtunës në port do të tentohej të kalohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Sapo kanë parë mjetin në të cilin dyshohej se fshihej sasia e drogës efektivët blu i kanë bërë shenjë Carës të drejtohej për tek pika e kontrollit fizik të mjeteve. Gjatë kontrollit në pjesën e poshtme të mjetit u gjetën të fshehura 86 pako të mbështjella me natriban.

Brenda tyre fshihej cannabis sativa. Sipas policisë Cara po tentonte të kalonte drejt fqinjit tonë të përtej Adriatikut rreth 45 kg lëndë narkotike. Burime zyrtare të forcave të rendit bëjnë të ditur se lënda narkotike është siguruar në qytetin e Lezhës, banore e të cilit ishte vajza, ndërsa destinacioni final i drogës ishte veriu i Italisë, konkretisht Torino.

Vajza nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë duke deklaruar se nuk ka patur dijeni për lëndën narkotike që u gjet në automjetin e drejtuar prej saj. Policia tha se vajza ka jetuar me herët në Itali dhe kohët e fundit kishte bërë shpesh udhëtime Shqipëri-Itali dhe anasjelltas. Për të hetuar rastin në fjalë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nga hetimet e para doli në konkluzionin se vajza mund të jetë pjesë e ndonjë rrjeti trafiku droge, që operon mes Shqipërisë dhe Italisë.

Policia ka kërkuar ndihmën e homologëve të tyre italianë për të hetuar rastin në fjalë. Policia ka sekuestruar edhe 5 celularë me kartat përkatëse, të cilat do të përdoren nga grupi i hetimit. Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh që në portin e Durrësit janë ndaluar trafikante femra. Më herët u arrestuan 3 femra të cilat tentuan të kalonin përtej “Adriatikut” 8 kg heroinë.

Pas seancave të pyetjeve dy nga femrat e ndaluara u liruan, pasi u provua se nuk kishin gisht në këtë veprimtari të paligjshme. 27 vjeçarja Donika Dervishi pranoi se motra e saj dhe kushërira nuk kishin dijeni për lëndën narkotike, ndërkohë që ajo ishte kërcënuar nga një person për të marrë përsipër transportin e drogës.