Zbulohet autori i vrasjes së 18 vjeçares Aishe Vata. Katër ditë pas krimit të rëndë që i mori jetën vajzës së re, policia ka arritur të bjerë në gjurmët e autorit të krimit dhe ta ndalojë atë. Ai është shtetasi Shaban Norja 80 vjeç, bashkëfshatar i familjes Vata. Pas dyshimeve të para që u përqendruan tek familjarët e 18 vjeçares dhe veçanërisht babait të saj, hetuesit dolën në konkluzionin se ishte një person tjetër ai që e vrau dhe pastaj i preu kokën vajzës së re duke e lënë trupin e saj në mes të arës me misër mëngjesin e së enjtes së kaluar.

Pas ndalimit të komshiut të familjes Vata, policia e Durrësit doli në një konferencë për shtyp gjatë të cilës konfirmoi se i ndaluari Shaban Norja, banues në lagjen “Partizani”, komuna Xhafzotaj është i dyshuari kryesor i vrasjes së Aishes. Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e Norjas u gjet arma e krimit, një pistoletë tip TT, si dhe një thikë me të cilën dyshohet se i ndaluari i ka prerë kokën vajzës. Në rrobat e të moshuarit u gjetën njolla gjaku, të cilat janë dërguar për analiza të mëtejshme, por që mendohet se i përkasin viktimës.

Në të njëjtën kohë policia gjeti edhe kokën e 18 vjeçares që u varros katër ditë më parë. Sipas burimeve policore koka e viktimës u gjet rreth 150 metra larg vendit ku u zbulua trupi pak ditë më parë. Norja e kishte futur kokën në 3-4 qese plastike dhe e kishte fshehur pas disa shkurreve.

Për shkak të mbështetjes qentë e angazhuar gjatë operacioneve për gjetjes e kokës nuk kishin mundur të nuhasnin erën që lëshonte koka e dekompozuar. Ndërsa dyshimet kryesore kishin rënë mbi babain e vajzës së re dhe të dashurin misterioz që e kishte lënë shtatzënë, askush nuk kishte menduar se Aishja ishte vrarë me armë zjarri dhe më pas i ishte prerë koka nga bashkëfshatari i saj.

Krim pasioni

Ndërsa një nga pistat kryesore të policisë ishte krimi brenda familjes, ekspertët nuk kishin përjashtuar krimin e pasionit, pasi vajza e re ishte 3 muajshe shtatzënë. Nga burime konfidenciale të grupit hetimor bëhet e ditur se 18 vjeçarja ishte përdhunuar vite më parë nga bashkëfshatari i saj. Mendohet se e reja i është nënshtruar dhunës seksuale që kur ishte 14 vjeçe dhe që nga ajo kohë aj është kërcënuar vazhdimisht prej tij të mos e denonconte një gjë të tillë.

Rasti i saj të kujton atë të 2 muajve më parë, kur 18 vjeçarja Nazmie Visha vrau personin që e kishte përdhunuar që në moshën 14 vjeçare. Veçse kësaj here e përdhunuara u kthye në viktimë, ndërsa i moshuari Norja pritet të kalojë vitet e mbetura në burg. Fakti se 18 vjeçarja kishte ndjekur shkollën fetare dhe shoqërohej ngado nga i ati linte shumë pak hapësira për të hamendësuar për një lidhje intime të saj.

Në ditët në vazhdim pritet të zbardhet edhe më tej vrasja e Aishe Vatës dhe raporti i saj me të moshuarin Shaban Norja. Në të njëjtën kohë policia bën të ditur se në komisariat janë shoqëruar të tjerë persona që mund të japin informacione të mëtejshme për lidhjen intime të Norjas me Vatën si dhe nëse i moshuari e ka vrarë i vetëm apo kishte edhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Të afërm e të njohur: Aishja shembull

18-vjeçarja Aishe Vata, e cila mbeti e masakruar mëngjesin e së enjtes nga persona ende të paidentifikuar nga Policia e Durrësit, njihej nga komshinjtë si një vajzë me sjelle të mirë e besimtare. Tek të gjithë të afërmit kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje dhe shok, sepse Aishja që mbajnë mend komshinjtë, nuk është dëgjuar kurrë si vajzë problematike apo me lidhje dashurore.

Sipas tyre, 18-vjeçarja kishte marrëdhënie të mirë me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe nuk kishte konflikte me ta. Madje ata shtojnë se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë lidhje që vajza mund të ketë patur, pasi ajo shoqërohej gjithmonë nga i ati. Të njëjtat fjalë ka thënë edhe drejtoresha e shkollës, ku 18-vjeçarja kreu studimet e mesme. Në shkollën e mesme të Medresesë “Mustafa Varoshi” në Durrës, nuk e kanë marrë veten ende nga lajmi i rëndë.

Së pari, duke e njohur,  nuk u besohet se ajo ka patur atë fat, ndërsa janë tronditur më tepër kur kanë mësuar që 18-vjeçarja ishte shtatzënë. Ky fakt e ka zhgënjyer shoqërinë e saj, pasi dhe vetë feja nuk e pranon një fakt të tillë. “Na vjen shumë keq. Ishte një vajzë shumë e mirë, e cila ka studiuar për disa vite në shkollën tonë. E njihnin të gjithë, pasi ishte shumë e komunikueshme dhe e zgjuar. Gjatë kohës që ka qëndruar në shkollë, nuk dimë nëse e shqetësonte ndonjë gjë apo të kishte një lidhje dashurore.

Aishja, gjithashtu ishte një nxënëse për t’u marr shembull, pasi përfundoi shkollën me rezultatet më të mira, të cilat e ndihmuan të fitonte të drejtën e studimeve të larta për në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë”,- u shpreh Neriman Gjinali, drejtoreshë në shkollën e mesme të Medresesë “Mustafa Varoshi” në Durrës.

Familjarët kërkuan drejtësi

Familjarët e viktimës dhe në veçanti motra e saj e madhe, Liljana kanë kërkuar gjatë gjithë këtyre ditëve që policia ta zbardhte sa më parë ngjarjen e rëndë, si dhe të gjente autorin e krimit. Shtëpia e familjes Vata ka hapur dyert e mortit duke pritur e përcjellë, personat që kanë dashur t’u qëndrojnë pranë atyre, për të kaluar këtë ngjarje të rëndë.

Mes lotëve dhe dhimbjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të të afërmes së tyre, familjarët e Aishes kërkonin drejtësi dhe u shprehën se donin që policia të zbulonte sa më shpejt autorin e krimit makabër.

“Nuk dimë asnjë gjë, ato që dinim i kemi thënë në policia të gjitha. Policia të bëjë detyrën e saj. Ajo e di mirë se çfarë duhet të bëjë. Nuk mund të mbarojë kështu kjo punë. Është masakruar motra jonë dhe duhet drejtësi. Të gjendet ai person që ka bërë këtë gjë të tmerrshme dhe të vihet përpara drejtësisë. Është më e pakta që kërkojmë nga shteti, të zbulojë vrasësin, pasi në këtë mënyrë do na lehtësohej pak dhimbja. Ne kemi mbetur të shokuar nga kjo që ndodhi”,- është shprehur motra e viktimës Liljana Vata.