Forcohen shanset që projekti të jetë fitues në fundqershor nga konsorciumi Shah Deniz

Italia dhe Greqia konfirmojnë mbështetjen për ndërtimin e gazsjellësit TAP.

Ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani shprehet se Italia është në favor të projektit Trans Adriatik dhe jo të Nabucco.

“Italia mbështet fuqishëm ndërtimin e projektit TAP që do të sjellë mbi të gjitha gazin azer në Itali nëpërmjet Shqipërisë duke dhënë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe rritjen e punësimit.

Për këtë ne japim mbështetjen maksimale, jemi absolutisht për projektin TAP. Projekti NABUCCO do të çojë gazin në tjetër drejtim, në vendet e Europës Veriore e Qendrore. Kështu që ne mbështesim TAP”, vlerësoi Gaiani.

Mbështetjen për këtë projekt e rikonfirmon edhe Greqia. Në një takim me drejtorin e TAP Kjetil Tungland dhe aksionerët ndërkombëtarë të tij, kryeministri Antonis Samaras ka shprehur rëndësinë strategjike që ka ndërtimi i gazsjellësit për Greqinë dhe BE.

Sipas Tungland, kjo mbështetje forcon edhe më shumë shanset që projekti të jetë fitues në muajin qershor nga konsorciumi Shah Deniz, nga i cili do të furnizohet me gaz Europa.