Trajneri i Kamzës, Ramazan Ndreu u shpreh mjaft i kënaqur me 3 pikët e marra në Durrës, por theksoi se skuadra duhet ta kishte mbyllur më shpejt ndeshjen. Ai nuk e fshehu edhe lumturinë për arritjen në vendin e dytë, por shtoi se objektivi mbetet qëndrimi në Kategorinë Superiore.

“Jam i kënaqur për fitoren, por jo për takimin, pasi duhet ta kishim mbyllur më përpara ndeshjen, duke shfrytëzuar epërsinë numerike. Gjithsesi, është e pritshme të ulet marshi në të tilla situata, ndaj më pëlqeu administrimi i lojës”, tha trajneri i Kamzës.

Kamza është në vendin e dytë, pavarësisht modestisë së Ndreut, por trajneri i kamzalinjve pranon se nëse ky grup vijon me këtë ritëm, i ka të gjitha mundësitë të mbetet në 4-shen kryesuese.

“Nëse ky grup lojtarësh do të vazhdojë me këtë ritëm, mund të arrijë shumë. Jemi skuadër e re dhe duam të sigurojmë sa më shpejt qëndrimin në Superligë, por gjithsesi, shpresoj të vijojmë me këto paraqitje dhe të mbetemi në 4-shen e parë të renditjes”, u shpreh Ndreu.

Me merkaton e dimrit që po afron, trajneri Ndreu u shpreh se nuk do të largohet asnjë lojtar nga ekipi, ndërsa shprehu edhe dëshirën për të afruar një mesfushor. “Ne nuk do të largojmë asnjë lojtar në muajin janar, ndërsa do të kisha dëshirë të afronim një mesfushor me aftësi të mira organizuese”, tha Ramazan Ndreu.