Ditët e para të mandatit të kryebashkiakes së parë femër në Durrës përveç kuriozitetit mëse të natyrshëm nga ana e stafit të bashkisë, po shoqërohen edhe nga biseda në rrethe të ngushta për ndryshimet e pritshme në institucion.

Një titullar i ri në një institucion nënkupton gjithnjë ndryshime në staf, sidomos në rastet kur anëtarë të stafit kanë në ato pozicione që në mandatin e parë të kryebashkiakut Vangjush Dako. Ndryshimet e mundshme në staf nuk i ka mohuar as kryebashkiakja Sako, megjithëse deri më tani ende nuk ka emra konkretë.

Por ndërsa disa do të jenë ndryshime të kërkuara nga Sako, disa do të jenë të detyruara, si p.sh. drejtori i kabinetit, Lavdosh Beqiraj, i cili ka qenë në krah të Dakos përgjatë 12 viteve. Zëvendësimi i Beqirajt nga një tjetër emër është zgjidhje e detyrueshme, pasi kreu i kabinetit është në prag të moshës së pensionit. Po në prag të kufirit të plotësimit të moshës së pensionit është edhe njëri prej nënkryetarëve, Sami Gjergji. Ish-deputeti i PD-së, i cili u bë nënkryetar i bashkisë në fillim të vitit 2016 pas mbështetjes që FRD-ja e Bamir Topit i dha Dakos në zgjedhjet lokale të vitit 2015, ka mbuluar për më shumë se 3 vite sektorin e bujqësisë në bashki.

Një tjetër nënkryetar që u emërua në bashki, falë partive aleate është Florian Tahiri i PDIU-së, i cili mbulon çështjet sociale. Edhe Tahiri, ashtu si Gjergji, ka pak më shumë se 3 vite në postin e nr.2 të bashkisë Durrës. Në vitin 2015, me ndarjen e re territoriale dhe zgjerimin e kufijve të bashkisë Durrës deri në Ishëm e Sukth u zgjerua edhe organika e pushtetit lokal duke kaluar nga 2 nënkryetarë në 4 nënkryetarë.

Ndërsa dy vendet e reja të krijuara, Dako ia rezervoi aleatëve që i siguruan votat në 2015 (duke marrë si individ shumë më tepër vota sesa subjekti politik që përfaqësonte), dy nënkryetarët e tjerë ishin Zhulien Varfi që e ka shoqëruar Dakon që nga ditët e tij të para në bashki dhe Arbër Braho, që u emërua në vend të Ardian Çelës, kur ky i fundit mori postin e drejtorit të përgjithshëm të OSHEE-së.

Braho përgjatë këtyre viteve ka mbuluar sektorët e policisë bashkiake dhe mbrojtjes së territorit, ndërsa Varfi ka pasur pjesën e luanit, financat dhe tenderat e bashkisë. Varfi është nënkryetari më jetëgjatë në bashkinë Durrës, por megjithëse ka mbajtur përherë një profil të ulët publik, duke shmangur deklaratat në media, emri i tij është lakuar disa herë në shtypin e shkruar apo televizion për shkak të denoncimit të parregullsive në zhvillimin e tenderave apo shpalljen e fituesit nga ana e qytetarëve të ndryshëm.

Ajo që vihet re në 4-vjeçarin e fundit të Dakos në bashki është fakti se 6 postet më të larta drejtuese (kryetar, nënkryetar dhe drejtor kabineti) ishin në duart e burrave. Pavarësisht se në nivel më të ulët, drejtor të përgjithshëm apo drejtor drejtorish, raporti është në favor të femrave, meshkujt ishin ata që vinin vulën! Nuk dihet nëse drejtirmi i bashkisë nga kryebashkiakja Sako do të ketë impakt në shtimin e numrit të femrave drejtuese në strukturat më të larta. Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

E vlerësuar për kohën kur drejtoi për 6 vite drejtorinë e Tatimeve, Sako fitoi besimin e kryeministrit Rama, i cili vendosi t'ia besojë Durrësin "fuqisë së gruas". Thuajse aspak e përfshirë në strukturat e PS-së së qytetit bregdetar, nuk mund të thuhet me siguri nëse stafi i ngushtë që do ta rrethojë kryebashkiaken do të dalë nga burimet njerëzore të PS-së, apo nga specialistëve të fushave të ndryshme që do të ftohen të japin kontributin e tyre për zhvillimin e Durrësit.

Pavarësisht se Sako ka folur me vlerësim për punën e paraardhësit të saj në post, qëndrimi për një kohë të gjatë në të njëjtën karrike shoqërohet domosdoshmërisht nga konsumimi nga pushteti. Bashkisë i nevojitet një frymë dhe impuls i ri për të çuar përpara projektet e nisura apo ato që pritet të marrin udhë gjatë drejtimit të Sakos.  

M.B.