Të gjithë ata që kanë sado pak ndjesi morale, shpirtërore e sociale nuk mund të mos jenë prekur dhe të qëndrojnë indiferent ndaj sakrificës sublime të vetëdjegies me benzinë të grevistit të urisë z. Gjergj Ndreca, këtij burri qëndrestar, të ndershëm e dinjitoz dhe shembull i durimit dhe tolerancës njëkohësisht i moralit, virtytit e patriotizmit, që ndërmori këtë vetësakrifikim për liri e të drejta njerëzore dhe po të tillë edhe bashkëshokët e tjerë të tij grevistë të urisë që protestojnë prej mëse 20 ditësh për të vënë në vend drejtësinë për kompensimin e vuajtjeve dhe padrejtësive që u shkaktoi regjimi komunist shtresës më fisnike e patriotike te shoqerisë, të dënuarve e të përndjekurve politikë që dhe pas 22 vitesh të shëmbjes së komunizmit ndjehen të zhgënjyer nga politika dhe pushteti, veçmas nga ky i sotmi që mori përsipër zgjidhjen e problemit të tyre.

Gënjeshtra, mashtrimi, hipokrizia, manipulimi dhe neglizhenca kriminale që ju është bërë të burgosurve politikë, të persekutuarve, pronarëve dhe desidencës antikomuniste nga politika dhe pushteti i djeshëm dhe ai aktual i sotëm po i PD-së në mosplotësimin dhe kompensimin për padrejtësitë e së shkuarës dhe mosintegrimin politik të tyre është një ridënim dhe ripersekutim i dytë dhe më i keq akoma, dhe ky është shkaku që i ka shtyrë ata në këtë grevë urie.

Po ta vërejmë me vëmendje ecurinë e këtij tranzicioni postkomunist në Shqipëri do të konstatojmë se në mënyrën dhe realitetin e realizimit të saj nga politika në përgjithësi dhe sidomos të Partisë Demokratike konstatojmë shembullin me të mirë të zbatimit të planit të Katovicës parashtruar nga M.Gorbaçov në vitin 1986 që udhëzonte që të krijohen parti të majta, të qendrës e të djathta po në këto parti të jenë komunistët në krye.

A nuk është e vërtetë kjo ku tërë spektri politik shqiptar pothuajse pati liderë komunistë ku më shembullorja është PD. Katovica udhëzonte që partia që do të marrë pushtetin do të shajë me themel e çati komunizmin me qëllim që të fitojmë simpati tek Perëndimi dhe tek desidenca antikomuniste pasi na intereson karta morale e tyre e do t’u afrojmë punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t’u lëmë pushtetin; do të bëjmë propagandë kundër komunizmit me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës komuniste dhe në ekonomi, kapitalistë dhe pronarë të ardhshëm të jenë njerëzit tanë.

Besoj se nuk ka nevojë për koment, se ky projekt më së miri është realizuar në Shqipëri sidomos nga PD. Ajo që vërehet pos të tjerash është shtirja e këtij pushteti për ndjesi e dhimbje ndaj të persekutuarve politikë po që nuk janë gjë tjetër veçse ndjesi e dhimbje sipërfaqësore e mashtrim për të fshehur urrejtjen dhe neglizhencën kriminale të tij, që vjen si pasojë se ky pushtet ka përvojën dhe trashëgiminë komuniste të pandjesisë, urrejtjes shoqërore dhe kënaqjes me vuajtjet, fatkeqësitë dhe varfërinë e të tjerëve, një politikë që ka montuar një sistem tiranik të moderuar ku si kryeligj (kanun) të pashkruar ka vjedhjen, mashtrimin, korrupsionin e krimin (elektoral, ekonomik, politik, të trafiqeve, ordiner etj.), pra një regjim mizantrop (që urren shoqërinë), pasi mashtron, përgojon, shan, kritikon, akuzon pa argument dhe i bën etiketimin e gjykimin kujtdo që guxon të kundërshtojë, që nuk shërben e nuk lobon për të dhe nuk është dakord  me dëshirimin e tij, ekzaltimin, gënjeshtrën e pranimin e realitetit fals të tij.

Kështu ndodhi dhe me të përndjekurit politik të grevës së urisë që protestojnë kundër qeverisë, e cila i quajti grevistë politikë dhe filloi shigjetimin kundër tyre siç ka bërë dhe me grevën dhe protestat e opozitës për transparencën e zgjedhjeve dhe kundër korrupsionit, me institucionet e pavarura të presidentit, KLD-së, kryeprokuroren, SHISH etj., kundër protestave të minatorëve, kërcënimet e punonjësve të administratës shtetërore për largim nga puna etj,etj.

Ky pushtet është një pushtet antishtet dhe antisocial, prandaj greva e urisë dhe vetësakrifikimi i Gjergj Ndrecës është një apel për reagim e ndërgjegjësim qytetar për ndryshim, për zgjim e dalje nga apatia e indiferentizmi si i politikës opozitare ashtu dhe i shoqatave dhe shoqërisë civile se mosreagimi është pastaj mëkat e fatkeqësi dhe për ta ashtu si dhe për disa bashkëvuajtës të grevistëve që të joshur nga ndonjë përfitim apo joshje e pushtetit bëhen palë antigrevë me të.

Qeverisja është shërbëtore e popullit dhe duhet të shërbejë për të, po çndodh; një pandjesi dhe neglizhencë totale ndaj grevistëve ndërsa ambasadori amerikan dhe ai i BE-së i kanë vizituar si në tendën e grevës dhe në spital, gjë që tregon për ndjesinë dhe respektin që kanë demokracitë më të mëdha të botës për përpjekjet në mbrojtje të së drejtës, lirisë dhe demokracisë. Aty ku ndodhin akte të tilla ekstreme vetësakrifikimi e heroizmi është treguesi më i saktë se nuk ka as demokraci, as liri e as drejtësi; dhe a nuk janë këto dhe hapur inkurajim dhe thirrje për reagim dhe simpati për shoqërinë shqiptare ndaj grevistëve, për shoqërinë që çuditërisht akoma është e pandërgjegjësuar se kjo i shërben dhe asaj në tërësi.

A nuk e ka kuptuar shoqëria jonë se po shkon në 100 vjetorin e pavarësisë me liri të brendshme si gjysmëliri dhe me një sistem politik gjysmëdemokraci, pa standarte shtetformuese  dhe pa integrim në BE, pasi kjo qeverisje është në kundërshti dhe me realizimin e standarteve demokratike, me plotësimin e kritereve dhe me institucionet ndërkombëtare.

Është koha që na fton për veprim apo po presim ndonjë hata më të madhe. Ndërsa kisha arritur deri këtu në këtë shkrim nga TV u dha lajmi për një tjetër grevist të vetëdjegur dhe ishte radha e  Lirak Bejkos. Nga mediat e shkruara mësova se akte të tjera të tilla do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të grevistëve. Atëherë mendova pse vazhdon të heshtë dhe të neglizhojë politika në pushtet, kjo e sotmja?

Po them pasi kjo është ashtu si ajo e persekutorëve komunistë të djeshëm, të dyja ngjasojnë se vetëm kanë marrë e përvetësuar pushtet e pasuri duke grabitur e vjedhur popullin, shoqërinë e shtetin, ndërsa shtresa më fisnike e shoqërisë, ata që po protestojnë me këtë grevë kanë dhënë nga jetët, mundi dhe puna e tyre dhe nuk kanë marrë as minimumin e asaj që u takon dhe së dyti politika e sotme si ajo e djeshmja kanë bërë padrejtësi ndërsa fisnikëria që po proteston ka vuajtur nga padrejtësitë dhe po kërkon vetëm drejtësi.