Policia e Fierit ka arritur të gjejë një 16 vjeçar i cili ishte larguar nga banesa.

Për fat të mirë, ai është gjetur shëndoshë e mirë dhe është kthyer te nëna e tij, e cila ishte ajo që kishte kallëzuar rastin.

Njoftimi i Policisë:

DVP Fier

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, i cili dyshohet se ka fyer nëpërmjet telefonit, ish-bashkëshorten e tij, të pajisur me urdhër mbrojtjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

-Në vijim të informacionit të dhënë më datë 03.04.2024, për largimin nga banesa të një 16-vjeçari (rast i kallëzuar nga nëna e tij, shtetasja E. B.), ju informojmë se shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e të miturit dhe dorëzimin tek nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.

-Ditën e djeshme, rreth orës 12:00, në spitalin e Lushnjës, është dërguar për mjekim, shtetasi F. L., 77 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Divjakë, i cili dyshohet se kishte konsumuar Fotoksinë. Si pasojë, 77-vjeçari ka humbur jetën. Po punohet për të dokumentuar me prova ligjore shkakun e vdekjes.