Ngjarje e rrallë në Mal të Zi.

Një grua ka humbur jetën sot nga mbytja në lumin Moraça në Podgoricë, teksa foshnja e saj, është nxjerrë e gjallë nga aty dhe është transferuar në Spitalin e Fëmijëve. Shpëtimin e foshnjës nga lumi, e bëri deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani, moment ky i cili është kapur edhe nga kamerat televizive të Malit të Zi. Foshnja që u shpëtua sot nga Moraça është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

“Fëmija është në rrezik të komplikimeve të aspirimit dhe infeksionit. Ai po monitorohet në reanimacion dhe çdo prognozë është e rëndë, po të kemi parasysh që fëmija është dy muajsh”, thuhet nga spitali.

Falë guximit, qetësisë, por edhe njohurive që ka si prind i tre fëmijëve të mitur, Adnani nxorri ujin nga mushkëritë e foshnjës. Ai në intervistë për gazetën “Pobjeda” ka thënë se nuk besonte se do t’ia dilte.

“Po e kaloja urën dhe shikova drejt ujit kur pashë një grua dhe një fëmijë që notonin në lumë. Disa djem të tjerë erdhën, zbritën në lumë dhe nxorrën foshnjën nga uji. Ndërsa të tjerë thirrën një ambulancë. Vrapova drejt tyre dhe pashë që po mbanin në krahë foshnjën, e cila nuk kishte shenja jete. Meqenëse kam një fëmijë të vogël në shtëpi, e dija çfarë të bëja në situatë të tillë”, tha Adnani.

Ai kishte frikë se ishte tepër vonë, por nuk u dorëzua.

“E mora foshnjën prej tyre dhe u përpoqa të bëja atë që di, sa më mirë që mundem, e shtrëngova foshnjën, dhe ia nxora ujin nga mushkëritë. Kur e dëgjova të qartën e tij, nxitova te urgjenca dhe ia dorëzova foshnjën”, thotë Adnani.

Prezenca e deputetit Adnan Dibrani, rezultoi të vijonte aty, duke qenë pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që pasoi ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi.