Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ndodhi këtë të shtunë në Fushë-Kosovë, ku nënë e bijë u qëlluan me armë zjarri brenda automjetit të tyre.

Sipas deklarimeve të para të dëshmitarëve, ata shprehën se dy gratë u gjetën të gjakosura me plagë të rënda në trup.

“Vajza ka ardh pa frymë në banesë dhe më tregoi se i ka parë dy gra të shtrira në tokë. Pastaj kur kemi dal e kemi pa që në vendin e ngjarjes kanë ardh policia dhe autoambulanca”, tha një dëshmitare për Klankosova.

Paraprakisht dyshohet se rasti ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjejepër një pronë.

Të dy viktimat janë duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nëna e lindur në vitin 1959, është duke kryer një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra në stomak. E bija e lindur në vitin 1979, ka marrë lëndime të lehta në duar.

Policia po vijon punën për kapjen e autorit të krimit të rëndë, i cili tashmë akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.