Ish-presidenti i vendit Ilir Meta është liruar sërish nga qelia sot më 3 qershor, teksa pret ngushëllime për babanë e ndjerë pranë një hoteli në kryeqytet.
Meta ka marrë leje për disa orë për pritjen e ngushëllimeve ndaj të atit. Ai shoqërohet nga efektivët e sigurisë së burgjeve.
Ish-kreu i shtetit është pritur jashtë ambienteve të burgut nga mbështetës, figura politike dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite. Ndër figurat që ka takuar sot Metën ishte deputeti Klevis Balliu, si dhe deputetja Elda Hoti. Po ashtu, në ambientet e hotelit ku mbahen ngushëllimet ishte edhe ish-ministri Edmond Panariti.
Në ngushëllimet për babanë e ndjerë të Metës ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Ish-kryeministri, pas shprehjes së ngushëllimeve për babanë e Metës, mbajti një fjalë dhe për mediat. Duke shprehur ngushëllime për familjen e ish-presidentit, Berisha këmbënguli sërish se ish-kryetari i LSI-së është një i burgosur politik.
“Babai i ish-presidentit Ilir Meta ishte një njeri i devotshëm. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e zotit Meta. Unë dënoj me forcë burgosjen politike të Metës. Ilir Meta ka çdo akuzë të montuar dhe politike, është një farsë që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i Sigurimit, me falsitete dhe dokumente false. Krimet familjare të Edi Ramës e bëjnë atë më të dhunshëm se paraardhësit e tij”, tha Berisha.
Ish-presidenti Ilir Meta, politikan karriere që ka mbajtur poste të larta drejtuese gjatë jetës së tij ndodhet në burg që prej vitit 2024. Ai akuzohet për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.





