Në prag të stinës së dimrit ka nisur arnimi i rrugëve tërësisht të dëmtuara në qendër të Durrësit. Ndërmarrja e rrugëve në varësi të bashkisë ka nisur të mbyllë gropat në shëtitoren “Taulantia”, rruga që pasqyron imazhin e qytetit bregdetar. Disa punonjës të ndërmarrjes, me lopata në dorë e karroca me asfalt, janë duke mbyllur gropat që janë hapur kohë pas kohe nga institucione publike e jo publike që kanë shtruar tuba e kabuj.
Segmenti rrugor i shëtitores “Taulantia” në Durrës ka përfunduar në pikë të hallit, dhe asnjë karrocë apo lopatë me asfalt, nuk mund të përmirësojë lëvizjen në këtë rrugë. Është rruga më e frekuentuar nga qytetarët, por edhe nga pushuesit e shumtë që vizitojnë qytetin tonë. Shoferët, qytetarët e banorët, thonë se kjo rrugë tërësisht e dëmtuar nuk mund të mbulohet me disa lopata asfalt në gjendjen ku është katandisur. Akoma më keq janë katandisur edhe punonjësit e kësaj ndërmarrjeje. Ata nuk kanë as doreza dhe asnjë mjet identifikues, ndërsa punojnë në rrugë. Punonjësit duhet të kenë të veshura doreza, edhe jelekë fosforishentë, për të treguar se janë punonjës të riparimit të rrugëve.
K.H.





