Policia ka nisur hetimin për një 36 vjeçar turk pasi nuk deklaroi 17 020 euro teksa po hynte në Shqipëri, si dhe për një 50 vjeçar kinez pasi nuk deklaroi 11 820 euro dhe 1900 dollarë në dalje të Shqipërisë.

Sipas uniformave blu mësohet se dy shtetasit e huaj janë proceduar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, 36-vjeçarin turk me iniciale D. C. dhe 50-vjeçarin shqiptar me iniciale L. D.

Gjatë kontrolleve në hyrje të Shqipërisë, shtetasit turk i janë gjetur 17 020 Euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.

Gjithashtu, në dalje të Shqipërisë, 50-vjeçarit me iniciale L.D. i janë gjetur 11 820 Euro dhe 1900 Dollarë, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Shumat e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. C., 36 vjeç dhe L. D., 50 vjeç, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë””, tha policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.