Pas një periudhe pritjeje që shpesh ka karakterizuar njoftimet e Elon Musk, duket se projekti Cybercab po bëhet realitet. Tesla ka nisur zyrtarisht prodhimin e robotaksisë së saj me dy vende, ndërsa njësitë e para pritet të dorëzohen deri në fund të muajit të ardhshëm.
Sipas Musk, faza fillestare do të shoqërohet me vonesa dhe ritëm të ulët, për shkak se bëhet fjalë për një linjë prodhimi krejtësisht të re. Kapaciteti i plotë pritet të arrihet vetëm në fund të vitit.
Një zhvillim i rëndësishëm lidhet me faktin se Cybercab mund të mos i nënshtrohet kufirit prej 2 mijë e 500 njësish në vit për automjetet autonome në SHBA. Ky kufizim ka penguar deri më tani kompani si Waymo dhe Cruise, të cilat kanë kërkuar përjashtime nga NHTSA – National Highway Traffic Safety Administration.
Ndërsa Kongresi amerikan po shqyrton rritjen e këtij limiti deri në 90 mijë njësi, Tesla po ndjek një strategji vetëcertifikimi, që mund t’i lejojë të rrisë prodhimin pa kufizime të tilla. Prodhimi i Cybercab nisi në prill në fabrikën në Teksas, ku do të prodhohen versione si me timon dhe pedale, ashtu edhe pa to. Automjeti është projektuar për vetëm dy pasagjerë dhe mbështetet në drejtim autonom, por teknologjia ende has vështirësi.
Sipas të dhënave, robotaksitë e Tesla-s regjistrojnë aksidente rreth katër herë më shpesh se drejtuesit njerëzorë: një aksident çdo 57 mijë milje, krahasuar me një çdo 229 mijë milje për njerëzit. Vetë Musk ka pranuar se sistemi ka probleme, përfshirë ndalime të papritura gjatë lëvizjes.
Cybercab është kritikuar edhe për kufizimin në dy vende, pavarësisht përmasave të tij. Musk argumenton se shumica e udhëtimeve bëhen me një ose dy persona, por tregu amerikan për makina të tilla mbetet shumë i vogël.
Ndërkohë, besimi i publikut ndaj drejtimit autonom të Tesla-s mbetet i paqëndrueshëm, sidomos për versionet pa timon dhe pedale. Megjithatë, kompania vazhdon të investojë në këtë drejtim dhe ka aplikuar për ndërtimin e dy stacioneve private Supercharger në Arizona, të dedikuara ekskluzivisht për flotën e robotaksive.
Edhe pse ambicia e Tesla-s është e madhe, sfidat teknologjike dhe skepticizmi i tregut mbeten faktorë kyç që do të përcaktojnë suksesin e Cybercab në vitet e ardhshme.







