TIRANE, 22 mars 2013- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi sot emërimin e anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. 

Kreu i shtetit ka dekretuar Xhezair Zaganjorin, ish-kandidat për president të Republikës së Shqipërisë për të zëvendësuar një nga vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në një kohë që edhe kreut të këtij institucioni i ka mbaruar mandati.

Po sot presidenti dekretoi Besnik Imerajn dhe Gani Dizdarin si anëtar në Gjykatën Kushtetuese. 

Në faqen zyrtare të presidencës thuhet se : "Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës së Lartë. Presidenti Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e zotit Gani Dizdari, anëtar i Gjykatës Kushtetuese". 

4 ditë më parë kreu i shtetit zhvilloi takime të veçanta me krerët e grupeve parlamentare të partive politike ku diskutoi për kriteret profesionale që duhet të kenë kandidatët si anëtarë për këto gjykata.