Pas përfundimit të sezonit veror politika shqiptare do t’i rikthehet edhe njëherë vrullshëm aktivitetit të saj, kjo dhe për faktin e thjeshtë se edhe rreth 9 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme. Motorët e të majtës dhe të djathtës pritet të ndizen fuqishëm, pasi gara e ethshme elektorale i motivon të dy krahët e politikës shqiptare të karikojnë në maksimum elektoratin për të garantuar fitoren në zgjedhje.

Zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm pritet të jenë mjaft përcaktuese sepse do të vendosin nëse do të realizohet rotacioni politik, aq shumë i pritur nga Partia Socialiste dhe partitë e tjera opozitare apo nëse kryeministri Berisha do të arrijë të marrë edhe një tjetër mandat katërvjeçar qeverisës.

Eksperienca e këtyre 22 viteve demokraci ka treguar se deri tani asnjë forcë politike nuk ka mundur të qëndrojë në pushtet për më shumë se dy mandate. Dy mandatet e qeverisjes socialiste nga 1997-2005 u pasuan nga dy mandatet e së djathtës, e cila vazhdon të qeverisë vendin dhe është në vitin e fundit të mandatit të saj të dytë.

Megjithëse rotacioni politik shihet nga shumëkush si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund korrupsionit aq shumë të përfolur të zyrtarëve të lartë performanca e dobët gjatë këtyre viteve e së majtës dhe veçanërisht e liderit të saj Edi Rama i bën skeptik shumë të tjerë, të cilët e shohin të mundur fitimin e një mandati të tretë nga ana e kryeministrit Berisha.

E djathta po gëzon vitin e tetë të qeverisjes dhe megjithëse është folur shpesh për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të saj këto zgjedhje janë shtyrë për një kohë më të vonë e me sa duket do të realizohet pas zgjedhjeve. Megjithëse në qytetin e Durrësit atmosfera nga jashtë zyrave të selisë së Partisë Demokratike duket e qetë dhe madje shumë e heshtur zërat kanë nisur të qarkullojnë lidhur me ata që do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qytetin bregdetar.

Qyteti i dytë për nga rëndësia pas Tiranës, në zgjedhjet e përgjithshme ka treguar gjithnjë një tendencë që anon nga e djathta. Megjithëse qyteti qeveriset prej disa mandatesh nga socialistët, në nivel qarku deputetët e kampit të djathtë kanë qenë më të shumtë në numër sesa ato të spektrit opozitar.

Pas fitores së thellë që Partia Demokratike realizoi në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 2005, në zgjedhjet e 2009, nga ky qark dolën 7 deputetë të PD-së, 5 të PS-së dhe një i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që pas marrëveshjes pas zgjedhore Berisha-Meta, u rreshtua në kampin e djathtë. Megjithëse diferenca në vitin 2009 nuk ishte aq e thellë sa në vitin 2005 sërisht e djathta arriti një fitore të rëndësishme në qarkun bregdetar.

Me rikthimin nga pushimet dhe nisjen e sesionit të ri parlamentar pritet të nisë edhe pse jo ende zyrtarisht fushata elektorale. Krahas takimeve me elektoratin një vend të rëndësishëm do t’i kushtohet edhe përzgjedhjes së emrave të listës së kandidatëve për deputetë.

Nëpër korridoret e selisë së PD-së së Durrësit kanë nisur të qarkullojnë emrat e Eduart Halimit, Albana Vokshit, Igli Carës (kreu i degës së PD-së së Durrësit), Osman Metallës, Ferdinand Xhaferaj (u zgjodh deputet në zgjedhjet e 2009, por hoqi dorë nga mandati dhe posti i ministrit të Kulturës, kur kandidoi për postin e kryebashkiakut përballë Vangjush Dakos, garë të cilën e humbi), Ylli Lamës, Eglantina Bekteshit, Ardian Mukës, Ndriçim Babasit, Bedri Lukut dhe Gladiola Busullës.

Aktualisht Halimi, Vokshi, Cara, Metalla, Lama (zëvendësoi Xhaferajn) dhe Babasi janë deputetë të PD-së në kuvend. Nga lista aktuale e përfaqësuesve të së djathtës në Kuvendin e Shqipërisë mungon Gazmend Oketa, i cili megjithëse u zgjodh me votat e të djathtëve deklaroi muaj më parë ndarjen nga PD-ja dhe formimin e forcës më të re, “Fryma e re demokratike”.  

Përveç “luftës” për përfshirjen në listën e kandidatëve në garë, një “betejë” ndoshta më e fortë do të zhvillohet për vendosjen e emrit ndër të parët e listës, pasi probabiliteti për t’u zgjedhur është shumë i lartë. Nga lista që diskutohet nëpër korridoret e PD-së së Durrësit e që dihet që nuk është përfundimtarja vihet re përfshirja e tre femrave, Albana Vokshi, Eglantina Begteshi (kryetarja e Këshillit të Qarkut) dhe Gladiola Busulla.

Vlen të theksohet se në zgjedhjet e kaluara PD nxorri vetëm një deputete femër (Albana Vokshi), ndërkohë që kodi zgjedhor u kërkon partive politike që të respektojnë barazinë gjinore dhe kuotën prej 30% për përfshirjen e femrave në politikë. Duke u nisur nga eksperienca e dy zgjedhjeve të kaluara dhe nga rreshtimi i qarkut të Durrësit në anën e rajoneve që votojnë djathtas, mund të themi se 5 vendet e para në listë e kanë thuajse të garantuar mandatin e deputetit.

Kështu secili prej emrave të sipërpërmendur do të “luftojë” të përfshihet në pesëshen e parë ose do të tentojë të jetë sa më pranë këtyre vendeve për të siguruar një mandat deputeti. Sigurisht deri në prill-maj të vitit të ardhshëm shumë emra mund t’i shtohen apo t’i hiqen kësaj liste. Në përgjithësi PD nuk ka bërë ndryshime të theksuara në listat e kandidatëve nga njëri mandat në tjetrin.

Gjithsesi këtu vlen të theksohet rasti i deputetit Sami Gjergji, që në zgjedhjet e 2005 pati fituar bindshëm në zonën e tij elektorale, në Sukth, por në listat e vitit 2009 u përfshi ndër emrat e fundit në listë, gjë që u shoqërua pastaj me tërheqjen e tij dhe akuza ndaj drejtuesve të forcës politike ku ai aderonte.

Duke u nisur nga kjo mund të themi se dhe deputetët aktualë të PD-së, ndoshta nuk do ta kenë aq të sigurt emrin në listë, apo më mirë në vendet e para të saj. Kjo do të varet sigurisht nga kontributet e gjithsecilit, angazhimi politik, mbështetja që gëzojnë në popull, por nga ana tjetër edhe nga raportet aktuale me kryeministrin Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së.         

Lista e mundshme e kandidaturave

Eduard Halimi
Albana Vokshi
Igli Cara
Osman Metalla
Ferdinand Xhaferaj
Ylli Lama
Eglantina Begteshi
Ardian Muka
Ndricim Babasi
Bedri Luku
Gladiola Busulla