Sot, muri rrethues i Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit ishte shpirti i festës së Ditës së Mësuesit.

Një “pusullë gjigande”, si një tablo e pafund ndjenjash, ishte vendosur aty për të mirëpritur mesazhe nga qytetarë dhe kalimtarë të rastit për mësuesit e tyre në këtë 7 Mars.

Fëmijët, prindërit dhe të rinjtë i janë bashkuar gëzimit të mësuesve të tyre, me mesazhe nga më të ndryshme, ku secili ka lënë një kujtim emocionues përmes fjalëve, nga falenderimet, te urimet e përzemërta, deri te ndjesi për momentet kur kanë sfiduar durimin e mësuesve të tyre.

Ndër to kishte mesazhe si “Mësuesi i mirë, aty ku mbjell dije, mbjell dhe dashuri”, “Gëzuar mësuesja e jetës time. Më fal për momentet kur të kam mërzitur”, “E dashur mësuese Tefta, Gëzuar 7 Marsin. Të dua shumë”. Mesazhe pafund kanë pasuar njëri-tjetrin, teksa secili kalimtar ndalet për të lënë një pjesë të zemrës së vet si mirënjohje për mësuesit.

Edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu iu bashkua “librit” të urimeve për mësuesit duke lënë mesazhin e saj: “Për mësuesit tanë! Ata me dedikimin e tyre na bëjnë më të mirë e më të aftë çdo ditë. Mirënjohje dhe respekt për misionin tuaj fisnik!”.