Drita Cetaku kujton e emocionuar një shprehje të nobelistit Orhan Pamuk, i cili, në prani të shumë personaliteteve, i bëri një prezantim të tillë asaj: “Kjo vajzë më ka bërë mua të famshëm”. Një vlerësim i tillë, i bërë nga njëri prej personaliteteve të letërsisë turke e jo vetëm, do të thotë shumë.

Në kohën kur mësuesja e saj e letërsisë në 8-vjeçare, Venuse Agolli, nisi ta brymosë me pasionin për letërsinë, Drita, ende fëmijë në ato vite, nuk do ta kishte menduar se shumë vite më vonë do të sillte në shqip një nga shkrimtarët më të njohur turk, nobelistin, Orhan Pamuk. Madje, edhe kur ju përkushtua për shumë kohë studimit të gjuhës turke, nën drejtimin e profesorit të saj të turqishtes, Osman Perolli, nuk e kishte menduar këtë gjë. Por, nganjëherë, ajo që të duket pak si mision i pamundur realizohet, e për më tepër në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo mund të thuhet me plot gojën për përkthyesen durrsake, Drita Cetaku Turdiu, që krahas përkthimit të një pjese të mirë të romaneve të nobelistit të njohur, dy javë më parë rrëmbeu trofeun e përkthyeses më të mirë të vitit, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Kult.

Takimi me botuesen Flutura Açka duket se ka qenë mjaft frytdhënës jo vetëm për këto dy femra, por dhe për lexuesin shqiptar, që mori në dorë përkthime cilësore dhe arriti të njihte mirë krijimtarinë e Pamuk. “Unë isha njeriu që kisha të drejtën ta sillja në shqip, kisha dhe një ëndërr ta bëja këtë… madje edhe ca para, por vetëm kaq. Pa një Dritë, si kjo Dritë që kam nevojë ta falenderoj publikisht, ëndrrën time do ta kishte marrë agu me vete. Sepse ëndrra e Dritës ishte e njëmendtë me ëndrrën time. Adhurimi i saj për Orhan Pamuk, njohja e saj e thellë e veprës së tij dhe e letërsisë turke ku Pamuk u ndërtua, lidhja e saj sublime ndaj gjuhës turke, simbioza që ajo krijon mes turqishtes origjinale dhe shqipes tërësisht shqip, dedikimi ndaj një vepreje të gjatë rrëfimtare si ajo e stilit të Pamuk, i dhanë Pamukut suksesin në shqip dhe ëndrrës sime shijen e realitetit të prekshëm, dhe vetë veprës cilësinë e garantuar”,- do të shprehej botuesja Açka për Drita Cetakun. E gjithë kjo punë voluminoze, e realizuar plot pasion, do të kurorëzohej më së miri.

Drita kujton e emocionuar një shprehje të nobelistit Pamuk, i cili, në prani të shumë personaliteteve, i bëri një prezantim të tillë asaj: “Kjo vajzë më ka bërë mua të famshëm”. Një vlerësim i tillë, i bërë nga njëri prej personaliteteve të letërsisë turke e jo vetëm, do të thotë shumë. Një shprehje e tillë merr vlerë sidomos kur ende flitet për cilësinë e përkthimeve në vendin tonë, ku nuk janë të pakta rastet kur vepra dhe autorë të njohur kanë ardhur përmes një përkthimi aspak profesional që ka dëmtuar në mënyrë të parikthyeshme vlerat artistike të asaj vepre letrare. “Çdo vepër mbetet kurdoherë pjellë e shkrimtarit, krijuesit të saj të parë. Përkthyesin unë e shoh si një rrekës të devotshëm që përpiqet ta birësojë këtë pjellë”,- shprehet Drita në një intervistë për “Dyrrah”. Pikërisht në këtë adoptim, në këtë birësim letrar, përkthyesi duhet të bëjë “bijë për shpirt”, një vepër të shkruar nga dikush tjetër. Nëse kjo simbiozë funksionon atëherë qëllimi është arritur, në rast se kemi një birësim jo funksional produkti do të jetë një vepër e përçudnuar që nuk i hyn në punë askujt. Durrsakja Drita Cetaku Turdiu jeton prej vitesh në Nju Jork dhe punon në bibliotekën e North Bergenit, ndërsa jep edhe mësime të gjuhës turke në Manhatan.    

Drita, jeni nderuar me çmimin KULT si përkthyesja më e mirë e vitit. Si u ndjetë në ato momente?

Është një pyetje që më është drejtuar shpesh këto ditë. Shumë emocion, por edhe kënaqësi. Është vlerësimi më i madh pas një pune plot përkushtim, një pune që përveçpërpjekjeve personale, mbart edhe kontributin e njerëzve të dashur që më kanë rrethuar dhe mbështetur gjithnjë, prindërve, bashkëshortit dhe kujtimit të profesorit tim të turqishtes, zotit Osman Perolli.
 

Nderimi me një çmim nënkupton më pas përgjegjësi edhe më të mëdha. Sa do të ndikojë ky çmim në punën tuaj?

Është e vërtetë. Nxitësi i punës sime ka qenë gjithnjë pasioni, pasioni për t'iu shërbyer librave dhe letërsidashësve. Tani këtij pasioni i bashkangjitet një përgjegjësi edhe më e madhe për të kapërcyer kufijtë e përsosmërisë që të njësojnë me një çmim. 

Cilat kanë qenë arsyet që ju shtynë të merreshit me përkthime?

Dëshira për të ndarë me lexuesin shqiptar atë ç'ka kisha përjetuar gjatë leximit të veprave të Pamuk. Përkthimet letrare të drejtpërdrejta nga gjuha turke ishin pothuajse inekzistente. Poezitë dhe proza turke gjatë viteve të shkuara kanë ardhur në shqip kryesisht nga një përkthim i mëparshëm në gjuhën frënge, që nënkupton një tjetërsim dhe devijim më të madh të vlerave.  

Ju sollët në shqip nobelistin e njohur turk Orhan Pamuk. Sa e vështirë ka qenë të punosh me veprën e tij?

Shumë e vështirë. Dua të jem e sinqertë për këtë. Të përkthesh një nobelist dhe të mbartësh barrën e suksesit të tij është një përgjegjësi e madhe. Përpos kësaj, vepra e Pamuk është tejet voluminoze (vepra e fundit ishte 635 faqe) dhe fjalitë kanë një strukturë të stërzgjatur, krejt të ndryshme nga mënyra jonë e të shprehurit.

Ju  jeni takuar personalisht me Orhan Pamuk. Si është të takohesh me një nobelist dhe a kujtoni ndonjë detaj interesant nga këto takime?

Me Orhan Pamuk jam takuar disa herë dhe një prej kujtimeve të mia më të dashura është një moment kur nobelisti turk, duke shenjuar nga unë, ju drejtua të pranishmëve që ndodheshin në sallë me fjalët: "Kjo vajzë më ka bërë mua të famshëm". E befasuar, por edhe e emocionuar iu përgjigja: "Në të vërtetë jeni ju ai që më bëtë mua të famshme". Së fundmi kam marrë edhe një e-mail përgëzimi nga Pamuk me rastin e marrjes së çmimit Kult.

Përveç përkthimit të romaneve të nobelistit turk çfarë veprash të tjera do të sillni në shqip?

Siç e përmenda edhe më lart, unë kam shqipëruar vetëm veprat e Orhan Pamuk, pa dashur të përmend punën time të pavarur me disa vepra të tjera, ende të pabotuara të një natyre disi më të veçantë, që nuk kanë vetëm vlera artistike, por edhe historike.

Përkthyesi është gjithnjë ura lidhëse e shkrimtarit me lexuesin, sepse është ai që sjell versionin në një gjuhë të ndryshme nga origjinali. Sa shkrimtar është vetë përkthyesi në veprën që përkthen?

Çdo vepër mbetet kurdoherë pjellë e shkrimtarit, krijuesit të saj të parë. Ndërkohë përkthyesin unë e shoh si një rrekës të devotshëm që përpiqet ta birësojë këtë pjellë.

Sa e dëmton një vepër apo një shkrimtar të caktuar një përkthim jo i mirë?

E dëmton për ta shbërë atë krejtësisht në sytë e lexuesit. Shpeshherë, ne dëgjojmë miqtë tanë kur shprehen që e kanë të pamundur të lexojnë një libër të përkthyer keq. Kjo nënkupton që interesi për këtë vepër është minuar që në çastin kur e merr atë në dorë. Është një "atentat" i kryer nga injoranca ose papërgjegjshmëria.
 

Çfarë duhet bërë për të përmirësuar cilësinë e përkthimit dhe cilat janë disa nga rregullat që duhen zbatuar rigorozisht nga përkthyesit e rinj?

Nuk janë disa rregulla të thjeshta të formuluara në formën e një liste ato që e përmirësojnë apo ruajnë cilësinë e përkthimit. Nëse më pyesni mua personalisht është një eksperiencë e tërë njëzet e pesë vjeçare, përkushtim, edukim në fushën përkatëse dhe pasion për letërsinë… Nuk e teproj nëse them që unë e përjetoj fjalën, e ndjek, e ruaj, e gjurmoj gjuhën në të gjitha dialektet për ta bërë një vepër të huaj të flasë shqip në mënyrën më të spikatur…

Nganjëherë është hedhur ideja që shumë nga klasikët botërore të përkthyer shumë vite më parë duhet të përkthehen sërish. Sipas jush është e nevojshme që pas shumë vitesh të bëhet një shqipërim i dytë?

Është një debat që e kam ndeshur edhe në emisionet televizive. Unë mbështes kahjen e atyre që e pranojnë ripërkthimin e tyre. Nuk mund të ndalosh inisiativën e askujt për ndërmarrje të tilla. Në fund të fundit shoqëria do të përzgjedhë gjithnjë vlerën, qoftë kjo e përkthyer edhe shumë vite më parë…  

Në fund dua t’ju ngacmoj pak me një pyetje që ka lidhje me qytetin ku keni lindur e jeni rritur. Ju jeni nga Durrësi, por pjesën më të madhe të kohës e kaloni jashtë vendit. Sa e ndjeni mungesën e vendlindjes suaj dhe çfarë kujtimesh mbartni me vete nga qyteti juaj? 

Po, Durrësi është qyteti ku kam kaluar fëmijërinë dhe vitet e rinisë së hershme. A nuk i ruajmë kujtimet më të dashura nga kjo kohë e jetës sonë? Përpos kësaj është qyteti që ruan gjurmë të shumta të kontributit të madh që kanë dhënë gjyshi dhe babai im. 

Përsa i përket pasionit që ushqej për letërsinë ishte pikërisht mësuesja ime e letërsisë në tetëvjeçare, Venuse Agolli, e cila kultivoi me durim farat e para të këtij pasioni që vazhdon të më ndjekë pas edhe sot e kësaj dite. E dua këtë qytet që më lidh me të afërmit dhe kujtimin e paraardhësve, me miqtë e mi më të mirë, me detin dhe me imazhin e shtëpisë ku u rrita.   

Jetoj larg, por nuk e kam aspak të vështirë të rikthehem aty përmes kujtimeve dhe lidhjeve që vazhdoj të ruaj me miqtë e mi.