Vajza sekrete e Sadam Huseinit, arroganca e Houthive që e plaçkitin dhe nderi i një fisi të shkretëtirës që angazhohet ta mbrojë në këmbim të një tufe flokësh të saj.

Duket si një përrallë arabe, varianti më i fundit i “Një mijë e një netëve”, por në fakt bëhet fjalë për një histori që rrezikon të hapë një tjetër konflikt në Jemenin e trazuar dhe të shndërrohet në një çështje ndërkombëtare.

Protagoniste është një grua 34-vjeçare që deklaron se është Mira Saddam Hussein al-Majid, vajza e diktatorit të Bagdadit. Kur në vitin 2003 Iraku po përgatitej të sulmohej nga amerikanët, i ati dyshohet se e dërgoi në Jemen dhe ia besoi mbrojtjen presidentit të atëhershëm, Ali Abdullah Saleh. Atje, për të shmangur hakmarrjet, ajo do të kishte marrë një identitet të rremë: Sumaya Al-Zubairi.

Natyrisht, ish-udhëheqësi irakian nuk e kishte lënë pa burime financiare dhe ajo u rrit në një pallat luksoz në pjesën e sipërme të kryeqytetit Sana’a, me kopsht dhe çdo komoditet.

Ky “mërgim i artë” mori fund me ardhjen e Houthive, milicia fundamentaliste shiite që mori kontrollin e vendit. Në fillim të vitit, sunduesit e rinj sekuestruan rezidencën, bizhuteritë, paratë dhe sipas denoncimit të gruas, edhe pasaportën diplomatike me emrin e saj të vërtetë.

Luftarake si i ati, princesha irakiane kërkoi ndihmë nga të vetmit që mund t’i kundërviheshin padrejtësisë: ajo iu drejtua Hamad bin Fadgham Al-Hazmi, lider i fisit Bani Nawf, pjesë e klanit të fuqishëm Dham në rajonet veriore. Sipas ligjeve fisnore, ajo e bëri kërkesën e saj të shenjtë duke u dorëzuar një tufë prej flokëve të saj të gjatë të zinj.

Ekziston edhe një video që fikson skenën, e filmuar në një tendë të shtruar me qilima luksozë. Ajo tregon të ashtuquajturën Mira Hussein me një fustan elegant të zi dhe me një hixhab të zbukuruar me temina, ndërsa i dorëzon tufën e flokëve liderit fisnor. Burri, me kamën simbol të rangut të sheikut në brez dhe një kallashnikov në dorë, premton solemnisht të mbrojë të drejtat e saj.

Houthit reaguan me një lëvizje të vendosur dhe të menjëhershme: një muaj më parë arrestuan si gruan ashtu edhe mbrojtësin e saj. Ky akt nxiti të gjithë klanin të shpallte “Nakaf”, mobilizimin kolektiv të armatosur. Luftëtarët u mblodhën në kampe në shkretëtirë, organizuan patrulla në rrugë dhe u deklaruan gati të marshonin drejt kryeqytetit nëse të dy nuk liroheshin brenda afatit të sotëm.

Çështja u kthye shpejt në një problem shtetëror, pasi vë në dyshim besueshmërinë e milicive shiite, të akuzuara si grabitqarë “pa nder dhe pa respekt”. Ministria e Brendshme ndërhyri me një fushatë propagandistike. Autoritetet e vendosura nga Houthit pretendojnë se gruaja gënjen: sipas tyre, testi i ADN-së ka provuar se ajo nuk ka asgjë irakiane.

Sipas versionit zyrtar, ajo quhet në të vërtetë Sumaya Ahmed Mohammed Issa Al-Zubairi, e lindur në lagjen Hebra të kryeqytetit, ndërsa familja e saj vjen nga zona e Arhab. Për ta vërtetuar këtë, ekspertët e Drejtorisë së Policisë Kriminale thuhet se kanë kryer teste gjenetike mbi dhjetë vëllezër e motra, si dhe mbi prindërit e saj: babai i saj i vërtetë do të ishte një saldator dhe jo ish-udhëheqësi i Bagdadit.

Ministria shkon edhe më tej, duke deklaruar se gruaja është martuar shumë herë dhe ka përgatitur me kujdes “shfaqjen” e saj. Gjithashtu kërcënon me ndëshkime të ashpra këdo që përhap informacione të rreme.

Në klimën e tensionit të vazhdueshëm nën sundimin e Houthive, është përhapur edhe pretendimi se Arabia Saudite mund të ketë ndihmuar në këtë inskenim, duke falsifikuar videon e dorëzimit të tufës së flokëve. Por përgjigjja erdhi me një tjetër video, ku gruaja këmbëngul se është viktimë e padrejtësive: “Nuk do të heq dorë nga të drejtat e mia dhe prejardhja ime familjare, edhe sikur të më presin kokën… Jam kokëfortë si babai im.”

Revolta e klanit Dham nuk po shuhet. Dje, në prag të skadimit të ultimatumit, televizionet shtetërore transmetuan pamje të një kolone forcash speciale që po drejtohej drejt njërit prej kampeve fisnore. Nuk është ende e qartë nëse synimi ishte përballja me rebelët apo bllokimi i rrugës drejt kryeqytetit.

Ashtu si shumë përralla, edhe historia e Mirës tregon një të vërtetë: presionin e Houthive për të kufizuar autonominë e klaneve, ende shumë të fuqishme sidomos në rajonet veriore. Por kësaj here milicitë shiite duhet të përballen edhe me hijen e Sadam Huseinit, i cili vazhdon të mbetet një figurë popullore në botën arabe, pasi konsiderohet nga shumëkush si i vetmi që iu kundërvu imperializmit amerikan.

/TvKlan