Një ndër kroçerat më luksoze në botë, “Seven Seas Explorer”, e inauguruar vetëm pak ditë më parë nga princesha e Monakos, është ndalur sot në portin e Durrësit.

Ajo u ankorua sot në orën 07.30 në kalatën 5 të portit të Durrrësit me 746 turistë në bord. Sipas të dhënave të agjencisë “Intermed Shiping”, ata vijnë nga 21 vende të ndryshme të globit. 469 prej tyre janë shtetas nga SHBA, ndërsa 144 vijnë nga Britania e Madhe. Pjesa tjetër nga 1 – 36 turistë vijnë nga Australia, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Republika Domenikane, Franca, Gjermania, Hong Kongu, Hungaria, Irlanda, Malajzia, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Portugalia, Singapori, Suedia, Zvicra dhe  Venezuela.

Të ndarë në grupe ata pritet të vijojnë udhëtimin me autobusë drejt qyteteve të Beratit dhe Tiranës, ndërsa pjesa tjetër do të vizitojnë qendrat historike dhe arkeologjike të qytetit të Durrësit.

Kroçera “Seven Seas Explorer” po kryen një lundrim turistik në detet Adriatik dhe Jon. Ajo është nisur të hënën nga porti i Civittavechias (Itali) për të vijuar më pas në Amalfi, Catania, Durrës, Kotorr, Split, Ravenna, Koper, Trieste dhe Venecia.

Kroçera “Seven Seas Explorer” ka gjatësi 224 metra dhe gjerësi 31 metra. Ajo do të qëndrojë në port deri në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme.