Sporti i rrjetës po bëhet gjithnjë e më i afërt për durrsakët. Ky nuk është konstatim i rëndomtë, por një realitet i nxitur prej vitesh. Kam shkelur në “parket” në orën 14.00 të së shtunës së 20 tetorit 2012 dhe jam larguar prej andej në orën 21.00. Çfarë kishte ndodhur që të qëndrosh në “parket” plot 7 orë dhe të mos ndjesh jo vetëm lodhje, por një kënaqësi që sa vjen nuk mbetet vetëm e imja.

Punonjësit e pallatit Luan Luto dhe Avni Haxhia, por edhe Davida, Bardha, Entela dhe Vjollca ishin kujdesur që mjedisi të ishte sa më funksional, duke treguar se ky pallat mbetet nga më të çmuarit jo vetëm i Durrësit por edhe i lojërave kombëtare. Sekretari i klubit Emiljan Jani  është tejet i përqendruar, që në këtë pasdite me një ngarkesë të pazakontë, të tria ndeshjet e planifikuara të zhvilloheshin në kushte komode.

Televizionet sportive edhe këtë herë nuk hoqën dorë nga transmetimet e “Ramazan Njalës”, pasi gjithnjë ekipet e Teutës ngjallin interes kombëtar për t’u ndjekur. “Ndeshja e meshkujve me Studentin paraqitet shumë e fortë,- tregon Emiljan Jani,- kjo më shumë në planin psikologjik. Vitet e fundit ekipet e Teutës dhe Studentit janë në “luftë” si “macja me miun” me njëri tjetrin dhe ne duam që këtë fillim sezoni t’i marrim krahët, ta mundim. Studenti është kampion, ndërsa Teuta nënkampione. Trofeun synojmë ta rikthejmë në Durrës, po kështu edhe Kupën e Shqipërisë. Pasi kupën e FSHF-së e kemi fituar që në shtator”.

Tradita

Në vitin 1963, Lokomotiva e Durrësit fitoi titullin kampion. Eh çfarë volejbolli luhej! Parku sportiv “Nako Spiru”, kjo vlerë e jashtëzakonshme e kulturës sportive durrsake, luante nga vendi. Shkallët e drunjta gjithnjë riparoheshin nga pesha e madhe e shikuesve që uleshin në to. Kam qenë 12 vjeç kur në në këtë park mitik (oh sa dëshirë do të kisha t’i ruhej identiteti, pasi do t’i vlente edhe i heshtur brezave për t’i treguar se aty është nisur dhe bërë historia e lojërave në Durrës), atë pranverë të 63-shit Lokomotiva fitoi titullin duke mundur Partizanin e frikshëm të Petrit Murzakut. Çfarë 6-she?

Napolon Llalla, Lluka Prifti, Krenar Golashi, Met Kthupi, Aleksandër Gorea dhe Daniel Prifti. Nuk mund të harrohet edhe Naun Llazo. Çfarë mrekullie dhe gëzimi popullor! Dhe tani pas 49 vitesh (e pabesueshme përkimi, pas 50 vitesh mund t’i rikthehemi titullit kampion), shfaqet në parket një Teuta po kaq e sigurtë dhe e frikshme për kundërshtarët, madje edhe ndaj kampiones në fuqi Studentit, që e bëri ta hajë “dhe” me atë 3-0 elektrizues, plot vrull e potencë, plot kurajo dhe mjeshtri, plot, plot….

E ky etiketim letrar nuk do të mbaronte, për të treguar se malazez me emrin Vuk Medenica dhe një maqedonas i quajtur Harri Nakovski janë pjesë e Teutës së Durrësit. Kështu erdhën kohërat dhe realiteti përshëndetet në formën më të mirë. Shfaqet edhe një pasionant i pakonkurueshëm, që luan rolin e presidentit të ekipit me emrin Markelian Rexhepi, që kërkon sfidën e do t’ia ngrejë edhe më shumë autoritetin dhe vlerat sportit të rrjetës në Durrës.

Vitet e fundit ekipet e Teutës dhe Studentit janë në “luftë” si “macja me miun” me njëri tjetrin dhe ne duam që këtë fillim sezoni t’i marrim krahët, ta mundim. Studenti është kampion, ndërsa Teuta nënkampione. Trofeun synojmë ta rikthejmë në Durrës, po kështu edhe Kupën e Shqipërisë. Pasi kupën e FSHF-së e kemi fituar që në shtator

Por ky Nakovsk dhe Medenicë, nuk mund të bëjnë asgjë pa peshën e fuqisë dhe potencës që çfaqet gjithaq, nga brezi i tanishëm i volejbollit të Durrësit modern. Vëllezërit Jurgen dhe Aldo Dashi, dy metroshët Xhulio Myftari dhe Ani Vora, organizatori Denis Liti, e me rradhë Edmond Moku, Etiglieno Nazifi, Gjergj Bardhi, Alban Kolea, Sokol Rreshka, Blerim Pepaj etj. Janë aty për të bërë një histori të re të volejbollit, ashtu sikundër është shkruajtuar tradita e deritanishme.

Pasqyrimi

Këto po mendoja t’i evidentoja në shënime të kësaj natyre, teksa para se të futesha në pallat isha “lyer” me ngrohtësinë e një dielli joshës, që të ofron kjo vjeshtë e dytë e pazakontë. E kisha të programuar t’i ndiqja deri në fund tri takimet: për femra Teuta – Tirana dhe për meshkuj Erzeni – Tirana dhe Teuta – Studenti. E dija që me femrat, ndonëse tri fitore të merituara rradhazi e kishin intriguar këtë dyluftim, do ta kishim pisk punën me Tiranën e fortë të volejbollit shqiptar.

Por vajzat tona në setin e parë kishin tjetër mendje. Ndonëse të reja, në hapat e para të kristalizimit të gjendjes sportive Ornela Gashi (nga talentet më të spikatura të volejbollit durrsak), Alesia Dallupi (e para vendosje si titullare, duke zëvëndësuar largimin e Borana Begiç), Arta Zakova edhe kjo një tjetër zëvëndësuese e Romina Matoshit tashmë studente në universitetin Marin Barleti në Tiranë, dy motrat simpatike të ardhura prej vitesh nga Gruemira e Shkodrës Greta dhe Selda Smalaj, shuterja e fortë Rozalba Guza (e motra e Juxhin Guzës së paharruar që luan dy herë më shumë edhe për të) dhe ku qendron e vetme e “moshuar” Amarilda Llupo dalë nga Krutja e famshme e volejbollit të Llazi Llupos, do të përballeshin me Tiranën me veshje kampionie.

Seti i parë meritë dhe sukses i pazakontë. Shifrat domethënëse. 25-16. Të bëhej mrekullia sot?! Por jo. Tirana me Xhixhën, Shkurtin, Kokonozin, Hoxhën, Nezajn, Kadriun, Sejfullain, gati kombëtarja e Shqipërisë nuk mund të sfidohej nga një Teuta ndonëse ambicioze, por me shpatulla të brishta të pamundura tani për tani për kthesa të dorës së parë. Fitojnë mikeshat 3-1, duke kaluar në parket Erzenin debutues me Tiranën.

Një bashkim volejbollistësh të rinj durrsakë me ata shijakas kanë krijuar Erzenin e tanishëm i cili nuk është në ato përmasa që të përballojë kundërshtarë të dorës së parë si Tirana. Humbja 3-0 nuk është fatkeqësi për këtë konfigurim të ri, që mbase nga java në javë mund të ngjizë nivelin dhe performancën që kërkohet. Me shumë interes dyluftimi i dy të mëdhenjve të volejbollit shqiptar Teuta dhe Studentit. Ekipi i Ylli Tomorit jo pak i ka bërë të heshtin durrsakët e mi, kur prezantonte në Ramazan Njala një formacion që nuk mund të “rrihej”.

Por sot duken se gjërat kanë ndryshuar kahje. Teuta e mposht keqas duke i treguar se këtë sezon ka punë me të. Si një ndeshje boksi, me 20 tetor 2012, ishte raundi i parë Teuta – Studenti. Dhe fitorja e thellë 3-0 shënoi nokdaunin e parë për djemtë e Tomorit. “Ky është vetëm fillimi,- thotë maqedonasi Nakovski. Do të kemi rast ta mundim Studentin kudo që të dëshirojë ai. Jemi shumë të fortë dhe zor se mund të gabojmë”. Do të ndalemi në një shkrim tjetër më gjatë, me këtë brez volejbollistësh që meriton të jetë nderi i sportit të qytetit.

Dhe detyrohemi t’i japim hapësirën e duhur, 12-shes së rrjetës durrsake, e cila kërkon t’i vendosë në “rrjetën” e fuqisë së saj tërë rivalët e mundshëm.