Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një zyrtar policor ka pësuar lëndime dhe tri vetura janë sulmuar në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan gjatë ditës së 31 majit.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, protestat filluan të tensionohen në orët e pasdites, kur “disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat”.

“Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policor ka pësuar lëndime”, thuhet në këtë deklaratë.

Policia ka përmendur se gjatë ditës disa “grupe kriminale” i kanë penguar disa gazetarë në kryerjen e detyrave të tyre, dhe automjetet e tyre janë vandalizuar. Ajo u ka bërë thirrje protestuesve që të përmbahen nga dhuna.

Më herët, Policia e kishte konfirmuar përmes një përgjigjeje për REL-in se një veture e Policisë së Kosovës ishte sulmuar në Zveçan.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.