Familja e Liam Payne ka dhënë një deklaratë zyrtare për vdekjen e këngëtarit, pas një vendimi gjyqësor për të hequr akuzat për vrasje nga pakujdesia lidhur me rënien e tij nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë.

“Vdekja e Liam ishte një tragjedi e patregueshme”, është shprehur familja, sipas BBC.

“Kjo është një periudhë trishtimi dhe dhimbjeje e papërshkrueshme për ata që e njohën dhe e donin. Liam duhet të kishte një jetë të gjatë përpara. Bear humbi babanë e tij, Geoff dhe Karen humbën djalin e tyre, Ruth dhe Nicola humbën vëllanë e tyre dhe të gjithë miqtë dhe fansat e Liam humbën dikë që e mbanin shumë afër zemrës së tyre.”

Familja e këngëtarit më pas theksoi se e kuptojnë domosdoshmërinë e hetimit për vdekjen e tij dhe njohin punën e autoriteteve argjentinase. Megjithatë, ata deklaruan se pranojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për heqjen e të gjitha akuzave.

Në të njëjtën kohë, ata shprehën zemërimin e tyre për publicitetin e gjerë rreth vdekjes së tij, duke theksuar se kjo shkaktoi “dëm të papërshkrueshëm në familje”, veçanërisht për djalin e tij 7-vjeçar, Bear, të cilin ai e kishte me ish-partneren e tij, Cheryl Cole.

“Bear po përpiqet të përballet me emocionet që asnjë shtatëvjeçar nuk duhet t’i përjetojë kurrë”, thanë ata.

Në fund, ata thanë: “Familja gjithmonë ka kërkuar që t’i jepet hapësirë ​​private për t’u pikëlluar dhe shpresojmë që tani t’u jepet koha dhe hapësira për ta bërë këtë. Liam, ne të duam dhe na mungon shumë.” 

Deklarata e familjes erdhi pothuajse dy javë pasi gjykata hoqi akuzat për vrasje ndaj tre nga pesë personat e përfshirë në rastin e vdekjes së tij tragjike në tetor 2024.

Liam Payne humbi jetën në tetor 2024, duke u rrëzuar nga ballkoni i dhomës së tij në katin e tretë të hotelit CasaSur Palermo në Buenos Aires. Ai ishte 31 vjeç. Këngëtari pësoi lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje të kafkës, e cila ka shkaktuar gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.

Në momentin e vdekjes së tij, nivelet e tij të alkoolit në gjak ishin katër herë mbi kufirin ligjor, ndërsa droga si kokaina, krak dhe benzodiazepina u gjetën në sistemin e tij.