Nga Myzejen Konduri

Kur pashë dje që moshatarë, qytetarë, të njohur, po vendosnin lule, te qilimi i gjelbër i lulishtes, ku mbetën njollat e gjakut, të Greit 19-vjeçar ne Fier, dhimbja dhe marazi më rrëmbyen në horizontin e gjykimit…

   S’dua të bëj një bilanc të jetëve të shkatëtruara e ëndrrat e prera nga barbaria e ligësia e dhunës, perversiteteve në familje apo e rrjeteve sociale…

   Mund të jesh i mirë, i ditur, i edukuar, i mbushur me ëndrra…por vjen një i mbrapshtë që duke u tundur e shkundur, të derdh shtëllungat e fyerjeve, të bën pis dhe pa pikë mëshire, të shuan dritën e syve…Sa dhimbje!

   E shkreta nënë qan e te bukurin e të mirin djalë, mallkon vrasësin, emri i të cilit do mbetej i mallkuar, me pengun që do të jetojë pas të birit…

  Ç’është kjo pasiguri që do të na trembë, të na kërrusë shpresën?

   Disa injorantë torollakë, pa mend e pa shpirt, që bredhin nëpër rrugë, celular, vidiove e rrjetet sociale, duke u trimëruar nga larg dhe afër. E tmerrshme!

Po ku janë vlerat më të vyera të familjes shqiptare, mikpritja, bujaria, solidariteti, toleranca, humanizmi?!

A duhet të lejojmë të mjegullohen ëndërrat e fëmijve tanë?

  Në Demokraci, s’do të thotë të sillesh pa rregulla, pa edukatë, pa mirësjellje, pa humanizëm.

S’do të thotë të nëpërkëmbësh symbyllur të diturin, puntorin, të ndershmin, të mirin…Të shpërfillësh e të godasësh nënën, babain…

 Të mos bërtasim Pozita, Opozita, po të mos harrojmë detyrat tona si familiarë.

  Mendoj se është momenti që veç institucioneve shtetërore që duhet të forcojnë punën e ligjzbatuesve dhe të edukimit, të bëhet një punë më e madhe në Institucionin e Familjes. Kjo s’duhet neglizhuar më. Duhet filluar sa nisim t’i këndojmë fëmijve tanë ninullat. Kur të lexohen përrallat. T’i inkurajojmë fëmijët me një ledhatim, një përqafim, për t’i motivuar drejt virtyteve, duke i qartësuar dhe arsyet e detyrimeve morale e shpirtërore.

   Në emër të angazhimeve në punë, për një jetë më të mirë, prindërit harrojnë se fëmija duhet ushqyer me dashuri e këshilla. Madje nqs nuk gaboj, t’u japim fëmijve një rol më të madh në detyrimet familiare që të mos kultivojmë dembelizmin dhe të mundësojmë në gjykimet që u përkasin moshës së tyre që ata të reflektojnë e përsosen. T’u japim krah ëndrrave të tyre, buzëqeshjes së pastër të shpirtit të tyre e mos lejojmë t’ia mbyllin dyert e shpresës.

  Mos të lejojmë të tremben fëmijët tanë e ta braktisin tokën mëmë se pastaj sytë do rrjedhin lot, shpirti do të rënkojë në heshtje e zemra do të dhembë…

   Ne familiarët, duhet të mos lejojmë të deformohen rrënjët e së ardhmes që do të kenë vazhdimësinë e këtij kombi.

S’i mohoj problemet që kemi e plagët e veseve të kohës, po kjo sdo të thotë t’i nënshtrohesh mungesës së shpresës. Kushdo që do të na corientojë, të mos lejojmë e harrojmë shumë gabime e faje në vitet e këtij rrugëtimi të tranzicionit. Duhet të përballemi me kthesat jo të lehta…por jo në kurriz të vlerave.

Përballja jonë si prindër me këto rreziqe, do të qartësojë rrugëtimin e të rinjve e të rejave, larg mbrapshtësive të kohëve moderne e do të shërojë sa më shpejt plagët, veçanërisht ato që hapin rrjetet sociale e shkaktojnë viktima.