Norvegjia mori vendim që të ashpërsojë kufizimet për hyrjen e shtetasve rusë në vend për shkak të luftës që Rusia vazhdon kundër Ukrainës.

Ministrja e Drejtësisë, Emilie Enger Mehl në një deklaratë me shkrim njoftoi se për “shkak të luftës së paligjshme kundër Ukrainës” kanë marrë vendim për ashpërsuar procedurën e vizave për hyrjen e shtetasve rusë në vend.

Në kuadër të vendimit, ata që duan të udhëtojnë në Norvegji për arsye turistike ose për udhëtime jo prioritare nuk do të lejohen të kalojnë kufirin, por ata që kanë të afërm që jetojnë në këtë vend, studentët që studiojnë në Norvegji ose në vendet anëtare të Shengenit, do të jenë të përjashtuar nga ky vendim.

Në lajmin e gazetës “Aftenposten” thuhet se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë PST ishte e shqetësuar për përfshirjen e rusëve që hynin në vend nga qyteti Storskog, e vetmja pikë kalimi mes Rusisë dhe Norvegjisë, në aktivitete për mbledhjen e inteligjencës.

Kreu i Departamentit të Kundër-Spiunazhit të PST-së, Inter Haugland mendon se aktivitetet sabotuese të Rusisë në vendet evropiane me qëllimin për të dobësuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, sigurojnë dobi për Moskën.

Ndërsa në raportin e vlerësimit të rrezikut të PST-së, ishte vënë në dukje se është rritur kërcënimi i sabotazhit kundër kompanive norvegjeze që prodhojnë armë për Ukrainën. Më 22 shtator 2022 për shkak të luftës në Ukrainë, Norvegjia pezulloi marrëveshjen e vizave që nënshkroi me Rusinë në vitin 2007.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, ka një kufi prej 198 kilometrash të gjatë me Rusinë në Polin e Veriut.