Fakte tronditëse për publikun janë bërë të ditura mbi mënyrën sesi tregtarët abuzojnë me prodhimin dhe tregtimin e akullores, e cila gjatë sezonit të verës është një nga produktet që konsumohet me shumë.
Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka zbuluar sesi prodhohet dhe riciklohet akullorja, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Gazetarët e këtij emisioni, bashkë me inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer analiza të akullores që shitet sot në Tiranë.
Nga këto analiza kanë rezultuar se në 7 subjekte niveli i ngarkesës mikrobike ishte deri në 30 herë më i lartë se norma e lejuar. Duke qenë se ky është një produkt që konsumohet shumë në ditët e verës, gazetarët mblodhën fakte tronditëse për atë që konsumohet nga qytetarët.
Akullorja e përftuar nga qumështi është e ndjeshme ndaj temperaturave të larta, ndaj edhe ruajtja e saj është një problem më vete. Po si ruhet ajo nga tregtarët? Në bisedat me prodhues të akullores, por edhe të shitësve në pika të ndryshme në kryeqytet, kuptohet se tregtarët e akullores në Tiranë e riciklojnë akulloren e mbetur nga prodhimi i disa ditëve më parë, akullore e cila nuk duhet të konsumohet pasi është e rrezikshme për shëndetin.
Nuk ka rëndësi se kur është prodhuar akullorja, një apo dy ditë më parë, nëse mbetet pa shitur ajo ripërpunohet për t’u hedhur sërish në treg. Në shumë raste u panë në vasketa akullore të shkrira, si pasojë e procesit të kalimit nga frigoriferi i ngrirjes te frigoriferi i vitrinës.
Të pyetur nga gazetarët për këtë fakt (ngrirja – shkrirja), për shitësit dhe prodhuesit e akullores, kjo gjë është normale dhe justifikimet nga ana e tyre janë nga më të ndryshmet. Madje një nga shitësit e krahason akulloren me mishin. Ai shprehet: “Pse mishi si rron? Ça ka mishi, ka dhe akullorja. Rron në frigorifer nga 18 muaj deri në 2 vjet”.
Diçka është e sigurt, që nga qoftet, mishi i përpunuar që gjendet nëpër Fast Food-e, zarzavatet, perimet e frutat që janë të kultivuara me hormone të shumta, e së fundmi tek akulloret, konsumatori shqiptar është në rrezik për shëndetin për produktet me të cilat ushqehet. Popullata nuk po di më se ç’po konsumon. E sigurisht që nuk përfundon tek akullorja!





