Në mes të shumë problemeve që Hamide Magashi, 35-vjeçarja që u vra dy ditë më parë në Kosovë, i kishte adresuar policisë në lidhje me bashkëshortin, ka dalë në pah edhe një detaj tjetër, i cili është bërë me dije në një nga gjyqet që Halili kishte pasur më parë.

Mediat e Kosovës bëjnë me dije se në një procesverbal përshkruhet se i dyshuari për vrasjen e Hamide Magashit, Sokol Halili i kishte thënë gjykatësit që gruaja e tij i ka ofruar para për ta lejuar që të shkojë në shtëpi.

“Më ka premtuar një shumë shumë të madhe parash, vetëm që ta lija të shkonte tek shtëpia e babait të saj. Ajo më ka thënë të martohem me kë të dua vetëm që ta lë rehat atë dhe fëmijën”- citohet të ketë thënë Sokol Halili. Madje para gjyqtarit, i dyshuari kishte deklaruar se nuk do ta linte të lirë Hamide Magashin me asnjë kusht, pasi nuk do lejonte që fëmijën ta mbante e ndjera. E gjithë kjo ishte thënë para gjykatës në kohën kur po vendosej urdhri mbrojtës.

Ndërkohë deklaratat e viktimës para hetuesisë tregonin se ajo kishte kishte raportuar dhunën e vazhdueshme me të cilin ishte përballur e ndjera.

Pagat e realizuara nga puna në Komunën e Ferizajt, Hamide Magashi kishte deklaruar se detyrohej t’ia dorëzonte çdo muaj bashkëshortit. Në këtë dosje, viktima kishte deklaruar se edhe çdo vizitë të bërë në familjen e saj kishte qenë e shoqëruar nga vjehrra dhe e vëzhguar nga bashkëshorti.

Përveç shoqërimeve nga e vjehrra dhe i shoqi, viktima kishte raportuar më parë edhe për kërcënimet me armë dhe dhunën e vazhdueshme që kishte pasur.

Madje Magashi kishte raportuar se nga burri kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën e saj në praninë e saj.

Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili.

Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili.

Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë zjarri, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të mërkures rreth orës 18:00 ku Sokol Halili vrau gruan e tij shtatzënë Hamide Magashin 35 vjeçe, të cilën e la të vdekur para maternitetit në Prishtinë. Çifti ishte martuar këtë vit, por pas problemeve të shumta mes njëri-tjetrit kishin shkuar drejt ndarjes. Sipas familjarëve të viktimës, kjo e fundit kishte gjashtë muaj që mbahej e mbyllur në shtëpi nga bashkëshorti, madje edhe autoritetet kanë qenë të njoftuar në lidhje me abuzimin dhe i kishin dhënë asaj urdhër mbrojtjeje. Halili është ende në kërkim nga policia pasi u arratis pas momentit të krimit.