Gjykata ka dhënë masat e sigurisë “arrestme burg” për Embro Sulejmanin dhe Fatjon Kalluçin, të arrestuar dy ditë më parë në lidhje me çështjen e SHISH.
Mësohet se gjatë seancës së sigurisë, administratori i “Kodra e Kuajave” te vilat qeveritare në Durrës, Embro Sulejmani, ka deklaruar se e njeh Ergys Agasin, sepse janë të dy nga Durrësi.
Megjithatë, ai ka mohuar të ketë kryer ndonjë vepër penale dhe është shprehur se nuk e kupton se për çfarë krimi akuzohet.
“Nuk e di çfarë krimi kam bërë, i kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë thënë ai.
Ndërsa oficeri i policisë shkencore, Fatjon Kalluçi është shprehur se nuk mban mend gjë të ketë dërguar akte sekrete siç e dyshon SPAK.
Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, akuzohet për “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” te grupet kriminale, ndërsa Embro Sulejmani, është nën hetim për “Përkrahja e autorit të krimit”.





