Kryeministri, Edi Rama ka folur ditën e sotme për marrëveshjen e nënshkruar me Operatorin “Satellogic USA Inc për monitorim satelitor të territorit. Në një deklaratë për mediat, Rama tha se ndërtimet pa leje të cilat nuk shiheshin me sy të lirë, tanimë do të shiheshin nëpërmjet satelitëve.

Ndërsa shtoi se satelitët do kishin mundësi dhe kapacitet të dallonin çdo sipërfaqe të ngritur mbi sipërfaqen e tokës.

Edi Rama: Gjykatat sot e gjithë ditën mbajnë peng procese penale për ndërtues të caktuar dhe me siguri nuk lejojnë organet përkatëse, inspektoriatin kombëtar të Territorit të bëjë shembjet e caktuara gjë që na ka detyruar të mësojmë sesi mund t’ja dalim. Ne tani i kemi vënë me shpatulla për muri të gjithë këta. Zgjidhja që vjen nga kjo kontratë e sotme i jep përgjigjie pyetjes “si nuk i pamë”. Nuk është detyra ime të shoh katet pa leje. Për të gjithë ata që flisnin për satelitët, sot lajmi është që do kemi një kryeinspektoriat në qiell, që nuk ka kushëri, nuk ka parti, por ka sy që i sheh të gjitha. Një detaj, është që me satelitët nuk do ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin. Sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës. Nëse këtu do kishim qiellin e hapur dhe jo tavanin, ky perimetër këtu është i kapshëm .