Në konferencën për shtyp gjatë ditës së sotme në Air Albania gjendej një emër i madh i trajnerëve europianë, Jose Mourinho. Portugezi ka folur para ndeshjes finale që do të zhvillohet kundër Fejnordit në Tiranë.

E teksa shumë prej pyetjeve të ardhura do t’i përkisnin gjuhës italiane, Altin Sulçe zgjedh që ta pyes në anglisht.

“Dua t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Cila është përshtypja jote e parë për Shqipërinë dhe shumë njerëz në vendin tonë më kanë thënë, pyete se çfarë mund të bëjë “Special One” në një ndeshje speciale”, ishte pyetja e drejtuar nga Sulçe në anglisht.

Ndërkohë që trajneri nisi që të kthente përgjigjen në gjuhën italiane, i është thënë se duhet të përgjigjet në anglisht, po në të njëjtën mënyrë si i erdhi pyetja.

“Në anglisht? Unë mendova se kjo ishte në shqip”, tha Murinjo mes batutës duke shkaktuar të qeshura në sallë, ndërsa gazetari shqiptar i përsëriti sërish pyetjen.