“OldTimer & Retro Fest 2022” bën ndalesën e radhës këtë të diel në qytetin e Durrësit, në zonën më të frekuentuar: shëtitoren “Taulantia”.

Prej orës 18:00 në shëtitore janë ekspozuar këto mjete historike pas një parade nëpër qytet. Ekspozimi i mjeteve në shëtitore, shoqërohet ndërkohë me muzikë Jazz & Swing, dhe kushdo është i ftuar të bashkohet në kërcime, veshur sipas stilit të preferuar të koleksionistëve ose me aksesorë vintage.

Nga pamjet që përcjell “DurrësLajm“, vërehet që ekspozita tërheq vëmendjen e gjithë kalimtarëve.

Ky udhëtim i përvitshëm promovon jo vetëm mjetet historike, elementët e kulturës e muzikës, por edhe lidhjen e ngushtë midis vendeve, përmes pasionit për koleksionimin.

Deri më 19 Korrik, eventit do t’i bashkohen dhjetëra makina të koleksionistëve edhe nga Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut.

Kjo maratonë kulturore nisi me Prizrenin, me ndalesë në Parkun Arkeologjik të Apollonisë për të vijuar sot me Durrësin e më pas në Fier.