30 qytetarët e parë kanë marrë urdhër-ekzekutimin nga Enti i Banesave për pronat e tyre, të cilat prej gati 70 vjetësh nuk kanë mundur t’i gëzojnë. Drejtoria e Entit Kombëtar të banesave në Durrës ka bërë gati urdhër ekzekutimin për pronat e familjeve të ish pronarëve, të cilët tani duhet t’i drejtohen zyrës së përmbarimit gjyqësor për lirimin e pronave të tyre.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të urdhrave ekzekutivë ka qenë edhe ministri i punëve publike Sokol Olldashi. Ministri Olldashi tha se me këtë proces po vihet në vend një padrejtësi që i është bërë kësaj kategorie, të cilët tashmë ndihen me të vërtetë pronarë të atyre që kanë trashëguar nga të afërmit e tyre.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për degën e Entit në Durrës për materializimin e këtij procesi që nisi me aktin normativ të qeverisë për lirimin e banesave të ish pronarëve nga qiramarrësit. Sot shpërndamë 300 titujt e parë. Pronarët do t’i drejtohen zyrave të përmbarimit për lirimin e banesave të tyre. Gjithçka mbetet në dorë të tyre. Ka patur një fluks kërkesash nga pronarët që u janë zënë banesat e tyre nga qeraxhinjtë. Ne po ndjekim me kujdes proceset gjyqësore në Tiranë dhe Durrës për daljen e këtyre titujve të pronësisë në kohë më të shkurtër. Procesi po funksionon shumë mirë. Po bëhemi një shoqëri më e drejtë për t’u dhënë ish pronarëve të gëzojnë pronat e tyre. Enti me të njëjtën vëmendje po ndjek edhe kërkesat e atyre që duan të marrin një kredi në bankë për personat që dalin nga banesat e tyre”.

Ka patur një fluks kërkesash nga pronarët që u janë zënë banesat e tyre nga qeraxhinjtë. Ne po ndjekim me kujdes proceset gjyqësore në Tiranë dhe Durrës për daljen e këtyre titujve të pronësisë në kohë më të shkurtër. Procesi po funksionon shumë mirë. Po bëhemi një shoqëri më e drejtë për t’u dhënë ish pronarëve të gëzojnë pronat e tyre

I pyetur për banorët që nuk përfitojnë kredi për arsye të kritereve të ashpra që kanë bankat, Olldashi tha se “po ndiqen të gjitha procedurat për të përfituar kredi. Zgjidhjet janë individuale dhe kush ka dy apo tre banesa do të shkojë në banesat që ka, të tjerët të aplikojnë për kredi me interes zero”.

Në të gjithë vendin janë 3200 familje që banojnë në shtëpi ish pronarësh, 930 prej të cilave janë në Durrës. Lirimi i banesave prej tyre shkakton edhe një problem të rëndë social për një numër të madh familjesh, të cilat nuk kanë ku të strehohen. Nga ana tjetër ish pronarët shprehen të kënaqur që më në fund do të kenë mundësi të gëzojnë pronat e trashëguara. “Nga dita që kam lindur vetëm sot po arrij të marr pronën time. Përulem me respekt para pronave të tim ati, që më në fund ne po i gëzojmë. Sot flamuri i 100 vjetorit të pavarësisë po lëkundet nga era e demokracisë”,- tha Polikseni Treskaj Papaj, një prej ish-pronarëve durrsakë.

Drejtoria e Entit Kombëtar të Banesave në Durrës pret afro 50 aplikime çdo javë nga familjet e ish pronarëve për t’i pajisur më pas me dokumentacionin përkatës për marrjen e pronës. Nga ana tjetër deri tani tek kjo drejtori kanë aplikuar afro 300 familje që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve për të përfituar kredi për strehim me interes zero, por që vetëm 50% e tyre kanë mundur të përfitojnë për shkak të mungesës së të ardhurave.