Gjatë konferencës mes kryeministri Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel, nuk ka mbetur pa u përmendur edhe “Procesi i Berlinit” dhe “Open Balkan”.

E pyetur nëse “Open Balkan” mund ta zëvendësojë “Procesin e Berlinit”, Kancelarja u përgjigj pa asnjë dyshim se “Procesi i Berlinit” ishte bërthama e gjithçkaje.

Ndërsa shtoi se nuk kishte rëndësi kush do të vinte në krye të Gjermanisë, pasi vëmendja ndaj rajonit nuk do të mungonte asnjëherë nga liderët e tjerë të Bashkimit Europian.

Ajo tha se Ballkani Perëndimor ka shumë miq në Evropë.

“Ballkani Perëndimor ka mësuar të bashkëpunojë vitet e fundit dhe të qëndrojë ulur. Ka shumë miq të Ballkanit Perëndimor. Macron e ka shëtitur të gjithë rajonin, kemi zhvilluar bashkërisht takime në Berlin sikundër kemi punuar së bashku në kuadër të proceseve të ndryshme. Kurz është një mik i rajonit dhe çdo kancelar tjetër do jetë mik i rajonit. Interesi për të bashkëpunuar me këtë rajon është vërtet i madh. Këtë e kemi treguar. Unë vij nga Gjermania Lindore dhe kam parë se çfarë force, energjie duhet për të kapërcyer pengesat historike. BP ka shumë miq në Evropë dhe më lejoni t’ju siguroj për këtë”, deklaroi Merkel.