Gladiola Busulla 

Që  nga gjeneza,

                      Gruaja konsiderohet metaforë e dashurisë, e spiritualitetit dhe e dhembshurisë. Ajo është e prirur të refuzojë dhunën, egocentrizmin dhe të vlerësojë njeriun përtej sasive, konvencioneve e diferencimeve. Kjo tolerancë e bën atë objektive në gjykim.Pjesëmarrja e saj aktive, në jetën sociale dhe politike, është një domosdoshmëri, sepse gruaja si qënie intelektuale duhet të gëzojë rol trajtëformues në shoqëri.

Alphonse Karr thotë: “Gruaja ne parajsën tokësore e kafshoi frutin e pemës së dijes, 10 minuta para burrit”. Që atëherë, ajo gjithmonë ka ruajtur atë 10 – minutësh avantazh.
Vetë forca dhe ekuilibri kanë emrin grua. Gratë janë të forta dhe duhet të shtrëngojnë frerët e familjes dhe të punës. Një lodhje e dyfishtë që kërkon energji, impenjim, efiçencë, përgjegjshmëri, sens të detyrës. Shumëplanësia është perifrazimi i duhur i gruas moderne, thellësisht feminile, nënë dhe grua e emancipuar njëkohësisht; gruaja “e zgjidhur” që nuk ka frikë të takohet me hijen e saj. Mendoj se vetem nje femer mund te na riktheje dinjitetin e koherave arkaike.

Në cdo shtet, në cdo komb, në cdo shoqëri mund të gjesh një figurë të suksesshme. Në Shqiperi, ajo mban emrin Jozefina Topalli. Eshtë e vetmja që po na mbeshtet dhe perfaqëson. E kam degjuar të flasë në konferenca, në seancë parlamentare, në takime të ndryshme, përgjate fushatave elektorale; e kam dëgjuar të flasë me femijët dhe me gratë, pra me pikat e dobta të shoqerisë sonë. E gjen kaq mrekullisht dhe natyrshëm rrugën, për të hyrë në zemrën e tyre.

Përgjatë  të gjitha periudhave të historisë janë evidentuar me qindra  heroina dhe ikona femërore që mund t’iu referohet kushdo.E megjithatë, përsëri gruas i duhet të depërtojë në një botë që është ende shumë mashkullore, në kërkesa e pretendime.Vetëm falë një roli, modeli të duhur, pozita e femrës në shoqëri afirmohet dhe politika zbutet duke u shndërruar në një pakt për t’i shërbyer popullit.Nga ana tjetër, për të  arritur një realizim sa më të plotë dhe për të qenë mishërim i personalitetit politik, gruas vazhdimisht i duhet  të sakrifikojë në jetën familjare, sepse është bashkëshorte e nënë njëkohësisht.

Në agimin e këtij mijëvjeçari po fryn era e ndryshimit. Por gratë kanë ende  rrugë për të përshkuar.  Duhet të pronësohensërish, me gjithçka që iu përkiste që në fillim të ekzistencës: forcë, ekuilibër, pasion, kurajo, inteligjencë, aftësi intelektuale.Të jesh grua luftëtare dhe të promovosh protagonizmin e gruas janë sfida të mëdha.Një politikane e mirëfilltë është shembull i një gruaje kurajoze dhe  të suksesshme, e predominuar nga objektiva të larta, që  me njohuritë, sakrificat, punën dhe ambicjet e saj; jep kontribut të vazhdueshëm për kombin dhe bashkëqytetarët e saj.Në atë moment mund të pohojmë se gruaja përmbush plotësisht misionin që koha historike në të cilën jetojmë, i ka vënë mbi supe.

Por ajo mund të jetë, me shume. Ajo mund të jetë e zgjedhur, ajo mund të kryejë detyrat zyrtare, ajo mund të organizojë dhe të marre pjesë në ceremonitë zyrtare dhe funksionet e shtetit si një presidente, ose edhe më mirë: Ajo duhet të jete Presidentja.Mund të jetë më shumë.Mund.

Prezenca e grave në jetën publike dhe politike është ekzistente, e domosdoshme dhe e dobishme, sepse edhe gruaja mund t'i gëzojë privilegjet mashkullore, siç janë; të folurit haptas apo ngritja e zërit, kundërshtimi dhe stoicizmi. Duke mos qenë një kukull, por një aktore protagoniste në jetën politike, ajo shërben si model qendror për gratë e tjera, dhe edukon kështu mbarë opinionin publik për aftësitë e saj (e të gruas në përgjithësi) në politikë e diplomaci. Shëmbëlltyra femërore e politikës mund të jetë më dashamirëse, më e fortë dhe më e moralshme se dhjetëra politikanë meshkuj, pasi gruas gjithnjë i duhet të tregojë aftësitë dhe kapacitetin e saj.Shoqëria duhet të indinjohet  nga cilido që përpiqet të servirë, imazhin e grave "humbëse" apo  nga cilido që përpiqet të përbaltë figurat femërore. Personalisht kam bindjen e plotë që këto mbeten veçse rravgime të dëshpëruara e të pavlera maskiliste, pasi gruaja e fortë dhe heronjtë mund t'i mbajë në një grusht të vetëm.

Mund të  konfirmoj gjithashtu, faktin e pamohueshëm se kur një grua beson dhe vepron, e bën këtë me gjithë zemër, me të gjithë forcën e shpirtit të saj. Gruaja synon, dhe arrin synimet. Ajo vepron dhe realizon.Vërtet që politikës i nevojiten njerëz të aksionit, që shënojnë suksese, edhe pse të jesh grua e suksesshme në politikë e të shndërrohesh në female leadership tingëllon ende absurde.Por teksa ngjit një nga një shkallët e karrierës politike, hapat e saj bëhen gjithnjë e më të sigurta,ngjithnjë e më të qëndrueshme.E habitshme, por brishtësia e femrës  nuk tutet asnjëherë dhe mbi të gjitha, femra e sotme nuk resht së qenuri  feminile.Nën drejtimin e zonjave, institucionet reshtin së qenuri monotone, duke u shndërruar kështu në tempuj të promovimit të vlerave. Çdo nënë është pikësëpari grua, çdo motër është pikësëpari grua, çdo politikane është pikësëpari grua dhe secila syresh duhet të krenohet me traditat, prejardhjen, formimin e saj. Kjo është shprehje dinjiteti, kulture dhe qytetarie.

Integriteti i secilës grua në jetën politike dhe përfshirja në vendimmarrje rrit edhe më shumë, rolin e gruas dhe ndikimin e saj në politikë. “Forca e gruas rrjedh nga diçka që psikologjia nuk mund ta shpjegojë”. Kështu mendonte Oscar Wilde.

Gruaja di të jetë protagoniste e jetës familjare, e jetës shoqërore, e jetës profesionale dhe e jetës politike. Ajo është e vetëdijshme se mund t’i realizojë të gjitha këto, natyrshëm dhe të rezultojë e  suksesshme.Suksesi i parë për këdo nuk është thjesht suksesi personal apo në karrierë, por të qenit njeri i ekuilibruar, vizionar dhe me bonsens.Fuqia e gruas është ftesë kolektive për zgjimin e kolonës vertebrale të ndërgjegjes së fjetur të shoqërisë.

Shpesh më vjen ndër mend njëra nga pikturat e mjeshtrit italian Sandro Botticelli. Titullohet  “Marte e Venere”.

Mesazhi i saj filozofik flet për superioritetin e perëndeshës Venera (simbol i dashurisë dhe harmonisë) përkundrejt perëndisë Mars (simbol i mosmarrëveshjes dhe urrejtjes). Ky besoj se është misioni i GRUAS dhe i NËNËS.

Prezenca e saj jo vetëm që zbut klimën politike, por njëkohësisht sfidon maskilizmin, promovon vlerat e gruas, luan rol kyç në vendimmarrje për zgjidhjen e problemeve që ka shoqëria në aspektin ekonomik, arsimor apo dhe fusha me impakte të tjera sociale. Gruaja shqiptare në veçanti ka konsoliduar tiparet kontrastuese që frymëmarrin, midis trashëgimisë antike dhe të sotmes moderne të shpirtit tonë iliro-shqiptar.Ajo i ngjan një qenieje me natyrë hyjnore dhe përmasa kozmike, përderisa Perëndia që nga zanafilla i ka dhuruar shenjtërinë e amësisë.Potenciali i jashtëzakonshëm i gruas në përgjithësi është vënë në dobi të shoqërisë, si kontigjent kontributiv që jep zgjidhje, rrit kredon, gëzon vlerat dhe kriteret e domosdoshme dhe nuk joshet nga butësia e kolltukut, sepse nga vetë natyra, gruaja është dinamike dhe e ndërgjegjshme.

Ndaj një grua e fuqishme s’mund të përkufizohet ndryshe veçse kështu:

  • Një grua që nuk dorëzohet kurrë.
  • Një grua që nuk ankohet kurrë.
  • Një grua që guxon, që flet me zemër, që krijon.
  • Një grua që respekton veten dhe të tjerët.
  • Një grua që lufton për çdo inisiativë që ndërmerr.
  • Një grua që buzëqesh, që dialogon, që inspiron.
  • Një grua që ndihmon dhe ndan me të tjerët talentin, aftësinë, bindjet, dhuntinë, dijen.
  • Një grua e fuqishme gëzon së brendshmi kur përmirëson jetën e dikujt.