Nga Anila Hoxha

Mendoni pak një njeri që ju as nuk e njihni, por dini që ai ka humbur dy të afërm në një akt vetëflijimi ende të panjohur se nga çfarë u shtynë.

Në këtë tragjedi ai ndërkohë shpreson që e mbijetuara Blerta të kthehet mendërisht dhe fizikisht. Ky njeri së bashku me të tjerët, pasi humbi Anisën dhe Zhanetën, i drejtohet sërisht autoriteteve.

Veç dhimbjes, ai është i ngarkuar me një pako plot me prova që autoritetet, pra edhe policia edhe prokuroria nuk i morën të plota nga tmerri që panë e kaluan në banesën e familjes Josifi. Nga neglizhenca. Ose sido që të quhet është e pafalshme

Prova që duhet të ishin marrë seriozisht, nëse shteti shqiptar ka ndërmend të hetojë seriozisht nëse ka apo jo sekte që influencojnë në mendjen e qytetareve dhe i deformojnë derisa shkojnë tek thrilleri.

Prova që administrohen një javë me vonesë dhe kur ndërkohë java iku me burokracira, asnjë i pyetur asnjë veprim hetimor, asnjë kontroll kamerash edhe pse qytetaret vazhdojnë të më shkruajnë në Facebook duke më vënë ne dijeni: ‘Zhani shpërndante fletushka deri në fund të 2018 pranë unazës së re… Zhanin e kemi pare tek Selvia… ‘. E të tjera.

Dua të di çfarë veprimesh konkrete ka kryer policia veç këqyrjes së banesës? Zero veprime. Çfarë veprimesh ka kryer prokurori? Zero veprime, asnjë kërkesë për përgjim … asnjë kontroll sallash të dyshimta .. zero, zero, zero.

A nuk do quhej e rëndësishme për hetimin, broshura që e vetëdorëzoi vetë i afërmi ku gratë mësohen si te parandalojnë sëmundje e te vetëmjekohen?

A nuk do ishte po aq i rëndësishëm emri Cinztanza … nga Holanda bashkangjitur dhe numri i saj i telefonit?

A nuk do ishte i rëndësishme fotografia e Anisës se bashku me gjashtë persona të paidentifikuar?

Blloku i shënimeve ‘Për Blertën nga ANI’?

Po kartëvizita e një E. C., i cili është lider shpirtëror në një vend kulti në Tiranë?

Shënimet Jeharah Shammah Zoti im?

Po copat e letrave të shkruara me laps si për shembull; ‘Prit është Refia në banjë … ma hapma derën kur të mundesh ose e hap unë vetëm me thuaj … hapma çezmën … hajde … me duhet të rrish edhe një orë aty se këta tek Teoja janë aty… ?’

Ka një sërë gjurmësh që gratë e vdekura dhe e mbijetuara kanë lënë. Sot mbush një javë nga zbulimi i këtij horrori dhe ende nuk ka asnjë emër. Paaftësi për institucionet kur familja vazhdon të dorëzojë prova dhe ne ende nuk e dimë si quhet ky sekt që të çmend dhe të vret.

Vazhdoni flini, me atë gjumin që duhet t’ju ishte prishur para shume vitesh kur fëmijë e adoleshentë i jepnin fund jetës dhe kur shumë të tjerë ndërronin jetë në duar mjekesh pasi nuk pranonin ndihmë.

Çfarë duhet të ndodhë ende?