“PD nuk po merret seriozisht në këto zgjedhje nga kundërshtarët”. deklaratë e bërë 3 ditë më parë nga deputeti demokrat Astrit Patozi mund të shihet në dy këndvështrime; një shfryrje inati e një deputeti që u la jashtë listave të PD-së apo një perceptim i një demokrati të hershëm, që parandjen se e djathta është në një moment kritik të saj, në një krizë besimi të militantëve, simpatizantëve apo ndjekësve të betuar të saj.

Fakti që PD u përfshi shumë vonë në fushatë për shkak të mbylljes për tre muaj në çadër dhe arritjes in extremis të marrëveshjes Rama-Basha është një realitet që nuk ka demokrat mos ta besojë.

Ndërsa dy partitë e tjera rivale, PS dhe LSI i kishin karikuar motorët e fushatës kohë më parë, PD nisi fushatën në fund të majit me një precedent që nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë, kur drejtohej me dorë të hekurt nga Berisha. Bashës iu larguan disa prej kandidatëve në listat e deputetëve, listat ishin të cunguara dhe vetëm pasi ishte thyer disa herë afati i fundit ligjor për dorëzimin e listave të plota, ato u “kopsitën” më së fundi nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, që mori mbi vetë përgjegjësinë e plotë për hartimin e tyre.

Por a do ta penalizojë kjo Bashën në zgjedhje, kur duket se Rama dhe Meta po kacafyten më së shumti mes tyre për të rrëmbyer pjesë nga torta e pushtetit kjo mbetet për t’u parë më 25 qershor. 

Dy sondazhet e publikuara të hënën (të fundit deri ditën e zgjedhjeve), duke marrë parasysh edhe marxhin e tyre të gabimit, u munduan të hedhin dritë mbi konfigurimin e tablosë politike parlamentare pas 25 qershorit.

Qarku i Durrësit, për vetë rëndësinë që ka, (është porti më i madh në vend, ka aeroportin e vetëm funksional në Shqipëri dhe nxjerr plot 14 deputetë) ka qenë në fokusin e këtyre sondazheve.

Por si përkthehen në terren këto sondazhe dhe sa mundësi reale ka që subjektet politike të arrijnë objektivat që i kanë vënë vetes do mundohem ta analizoj më poshtë.

Duke iu referuar sondazhit të institutit prestigjioz italian ‘Piepoli’, i publikuar vetëm një ditë më pare në Report TV, krahasuar me 4 vite më parë, në qarkun e Durrësit vihet re një rritje në përqindje e votave që pritet të marrë Partia Socialiste.

Ndërsa në 2013, PS mblodhi e vetme 39.2% të votave, (60883 vota) në 19 qershor, sipas sondazhit të institutit italian, Partia Socialiste arrin në 43-47%. Në 2013, PS mori në qarkun e Durrësit 6 mandate deputeti.

Një gjë që nuk duhet të harrojmë është se në krahasim me 4 vite më parë, qarku i Durrësit nxjerr 14 deputetë, pra një më shumë.

Ndërkohë sondazhi i IPR-së, i publikuar nga Ora News, i publikuar dy javë më parë, e nxirrte PS-në me 42,5% të votave. Me këtë përqindje PS mund të sigurojë pa frikë 7 mandate deputetësh, një premtim ky i hershëm i kryebashkiakut Dako, bërë kryeministrit Rama.

Gjithsesi në terren, PS është duke luftuar fort për të marrë edhe mandatin e tetë. Tre bashkitë e mëdha të qarkut; Durrësi, Shijaku dhe Kruja drejtohen nga e majta; kryebashkiaku Dako realizoi një fitore historike në zgjedhjet për mandatin e 3-të, duke përmbysur parashikimet se abuzimi me pushtetin dhe betonizimi i qytetit (akuza këto të përsëritura dhe artikuluara shumë herë nga demokratët) ndoshta s’do t’i garantonin fitoren Grida Dumës, por do të rrudhnin votat e Dakos.

Dy vite më pas, Dako është sërish në terren, këtë herë në rolin e drejtuesit politik të PS në qarkun Durrës duke qenë kudo në takime me qytetarë anëmbanë bashkisë së madhe, së bashku me kandidatët në garë.

Duke iu referuar investimeve në zonat periferike, shtrimin e rrjetit të kanalizimeve apo lidhjen me linjat e tensionit 20kv, Dako dhe PS synojnë të marrin votat e banorëve të këtyre njësive administrative, disa prej të cilave, para ndarjes territoriale ishin bastione të demokratëve, por që në zgjedhjet lokale të 2015 u ngjyrosën mavi. Dako është duke kërkuar në çdo takim elektoral një mandat të dytë për kryeministrin Rama, për një Durrës më të bukur dhe me më shumë investime.

Por më shumë sesa investimet madhore të realizuara, si Veliera e shumë debatuar nga shoqëria civile, Rama dhe Dako duket se pikën e fortë e kanë edhe tek njerëzit që kanë përfshirë në listën e kandidatëve.

Përveç tre kandidatëve të parë në listë, të importuar nga Tirana, biznesmeni Ilir Ndrazhi, i katërti në listë, ka marrë një konsensus shumë të madh në bashkinë e Shijakut dhe rrethinat. I cilësuar nga shijakasit si “çuni jon”, Ndrazhi duket se do t’i marrë kreut të PAA, Agron Duka, shumë vota, në një bastion që Duka që kandidon në listën e PD-së ka pasur një mbështetje mjaft të madhe. Përfshirja në vend të 6-të e Jurgis Çybjas bën që votat e Dukës në Shijak të zvogëlohen edhe më shumë. Ndërkohë lëvizjet e shpeshta politike të Dukës më parë në PS, pastaj në PR, më pas në PAA, dhe tani i përfshirë në listën e PD-së duket se nuk janë pritur mjaft mirë nga elektorati që tradicionalisht i ka dhënë votën. Në takimet elektorale në Shijak e rrethina, Duka nuk është pritur më me entuziazmin e 4 viteve më parë, kur nën siglën e PR-së arriti të marrë 10461 vota, ose 8.7%.

Përfshirja në vendin e 7-të në listë të Rrahmam Rrenjës, që do të përfaqësojë në parlament votuesit e Krujës, synon të maksimalizojë votat në Krujë e Fushë-Krujë për kandidatin e tyre.

Ndërsa në vend të 8-të, ndodhet mjekja Klodiana Spahiu, që do të përpiqet për të fituar një mandat të tretë, duke përdorur reputacionin e saj të madh në Durrës, jo vetëm nga elektorati i majtë por edhe ai i djathtë, me respektin që gëzon.

Megjithëse duket e vështirë, PS mund ta rrëmbejë edhe mandatin e 8-të. Luftën e vërtetë në terren duket se PS e ka me LSI, por me shumë mundësi, nëse partia e Metës do të marrë 2 mandate nga 1 që mori në 2013, atë do ta sigurojë me vota të elektoratit të djathtë, ose të të pakënaqurve, sesa nga votat e socialistëve.

Krejt ndryshe paraqitet situata në kampin demokrat. Partia më e madhe opozitare për herë të parë paraqitet në këtë fushatë e papërgatitur. Zyrat elektorale u ngritën shumë vonë, në vend të zyrës së shtypit, kryetari i komanduar dhe kryesuesi i listës Oerd Bylykbashi, i poston në Facebook-un e tij personal takimet elektorale, që duken shumë larg entuziazmit të 4 viteve më parë, kur PD vinte pas një konsumimi 8-vjeçar në pushtet, ndërsa tani përballet me një qëndrim jo të lehtë 4-vjeçar në opozitë. Duket se dhe zërat se ekziston një marrëveshje pas zgjedhore Rama-Basha për të bashkëqeverisur pas zgjedhjeve nuk i motivojnë demokratët e Durrësit për të mbështetur fuqishëm partinë e tyre.

Ndasitë që ekzistojnë mes grupeve të ndryshme brenda PD-së së Durrësit që kulmuan me shkarkimin e kreut të degës së zgjedhur me votën e anëtarësisë, Osman Stafës, komandimi i Bylykbashit dhe një listë kandidatësh që duket se nuk gëzon aspak mbështetjen e bazës mund ta rrudhin edhe më rezultatin e PD-së, krahasuar me 2013.

Në sondazhe, PD paraqitet pak a shumë në të njëjtat kuota, 34-38%, duke ruajtur përqindjen e votave të marrë në 2013 (34%), por të mos harrojmë që 4 vite më parë, PD paraqitej në koalicion me shumë parti të vogla, ndërsa më 25 qershor garon e vetme duke rrezikuar të humbasë vota të vlefshme. Në 2013, nxorri 6 deputetë, 5 të saj dhe Agron Dukën që kandidonte me PR, por në 2017 ndoshta nuk do t’i mjaftojë Duka për të marrë në rastin më të mirë të mundshëm 5 deputetë.

Ndërkohë, sot një lajm i keq për PD vjen në planin kombëtar. Kolegji Zgjedhor vendosi se numëruesi i tretë në grupet e numërimit do t’i përkasë LSI-së, ndërsa numëruesi i katërt do të ndahet mes PDIU-së dhe PR-së. Në këtë mënyrë Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë vendimin e KQZ-së, marrë disa ditë më parë, se numëruesi i tretë do të ndahej mes LSI dhe PDIU. Në këtë mënyrë, në gjysmat e grupeve të numërimit, numëruesi i PD-së do të jetë i vetëm përballë tre numëruesve që i përkasin 3 subjekteve politike që tani për tani qeverisin vendin; PS, LSI dhe PDIU.

Ndërsa përsa i përket LSI-së, sondazhet e tregojnë në rritje. Megjithëse ministri Lefter Koka deklaroi se LSI e Durrësit është në garë me LSI në Tiranë, pak shanse duket se ka që partia e Metës të marrë më shumë se dy mandate. Në 2013, Lefter Koka grumbulloi 11.605 vota, ose 7.5%, ndërsa tani sondazhet e tregojnë në 5-9% (Piepoli) dhe 12% (IPR-ja) çka duket se e pozicionon mirë partinë e Metës për të marrë mandatin e dytë në Durrës.

Vota të konsiderueshme ka marrë 4 vite më parë në Durrës edhe FRD (4570 vota) dhe PDIU (3775 vota).

PDIU në sondazhe ka rritje krahasuar me 2013, por gjithsesi është larg sigurimit të një mandati deputeti, ndërsa FRD ka një tkurrje të theksuar.

LIBRA e Ben Blushit në sondazhe arrin të grumbullojë rreth 3-1% të votave, por duket larg dërgimit të kryesuesit të listës së saj në Kuvend.

E lartë ka qenë në sondazhe edhe përqindja e durrsakëve të pavendosur, por sipas analistëve të sondazheve, nëse ky kontigjent do t’i drejtohet kutive të votimit më 25 qershor, më shumë mundësi ka që vota e tyre të shkojë në favor të PS apo LSI.

Një ditë më parë, analisti Mark Marku përmendi në emisionin “Opinion” se blerja e votës për 50 euro, po kthehet në fenomen në Durrës dhe s’është çudi që ajo të vendosë për fatin e një pjesë të mirë të votave të votuesve të qarkut të Durrësit.

Nga 25 qershori pak ditë na ndajnë dhe vetëm atëherë do të dimë me siguri se kë do zgjedhin durrsakët për t’i qeverisur 4 vitet e ardhshme. Durrësi ka rezervuar gjithnjë surpriza në zgjedhje dhe ndoshta edhe më 25 qershor na surprizon sërish…  

M.P.