Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) për çështjen e pagave, duke i cilësuar këto dy institucione si “fytyra të dështimit të Reformës në Drejtësi”.
Edi Rama: Paga, kuptohet, është gjithmonë e pamjaftueshme për të gjithë. Kur është e pamjaftueshme për KLP-në dhe KLGJ-në, përfytyroni për të tjerët. KLP-ja dhe KLGJ-ja, që janë dy fytyra të dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK-u dhe gjykata speciale janë fytyra e suksesit, këto dy struktura janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi.
Kur këtyre dy trupave, të cilët qeverisin gjyqësorin dhe që qeverisin gjyqësorin më pak se ç’qeveriset gjyqësori nga zakonet e vjetra dhe nga njerëzit prapa perdeve, u duken të pamjaftueshme pagat, të cilat janë shumë herë më të larta se pagat tona, përfytyro se çfarë mund të thotë një nëpunës i administratës publike kur i thuhet se paga e tij është e mjaftueshme.





