Katër basketbollistë japonezë janë dërguar në shtëpi nga lojërat aziatike pasi akuzohen se kanë paguar femra për seks. Lojtarët kishin dalë për darkë në Xhakarta, me uniformat e tyre dhe ishin parë të shkonin në një hotel nën shoqërinë e femrave.

Lojërat aziatike u hapën në kryeqytetin indonezian të shtunën dhe vazhdojnë deri më 2 shtator. “Unë ndjej një lloj turpi”, ka thënë drejtuesi i delegacionit japonez. “Na vjen thellësisht keq – ka thënë ai.

Ndeshjet e basketbollit nisën para ceremonisë së hapjes, që u mbajt të shtunën në mbrëmje dhe incidenti duket se ka ndodhur pas fitores me Katarin, të enjten. Zyrtarët japonezë thanë se katër lojtarët ishin takuar me një person që fliste japonisht, i cili u kishte treguar një bar ku mund të takoheshin me femra.

Basketbollistët kishin kaluar disa orë në bar para se të hynin në një hotel në shoqërinë e katër femrave, dhe të qëndronin atje deri mëngjesin e të premtes. Zyrtarët konfirmuan sidoqoftë se lojtarët ishin kthyer në shtëpi me shpenzimet e tyre dhe se tetë lojtarët e mbetur do të vazhdonin kompeticionin.

“Atletët duhet të jenë modele në shoqëri, jo vetëm në arenat sportive por edhe kudo tjetër”, thanë zyrtarët japonezë.