Janë siguruar detaje të reja nga vrasja e 24-vjeçares palestineze në Tiranë. Fiillimisht policia tha se e reja u vra me thikë nga bashkëshorti i saj. Por hetimet kanë marrë drejtim të papritur, pasi dyshohet se e reja u vra nga babai saj dhe jo nga bashkëshorti, siç u raportua fillimisht.

Që do të thotë se autori që po kërkon policia është babai i 24-vjeçares dhe jo partneri. Dyshimet që ishin çift u ngritën nga fakti se viktima dhe autori 49-vjeçar kishin të njëjtin mbiemër.

24-vjeçarja Rayyan Alwan dhe babai i saj, 49-vjeçari Fadi Alwan mbërritën në Shqipëri, nga aeroporti i Rinasit më 19 shkurt.

Viktima dhe babai i saj raportohet se jetonin në Gjermani, nga edhe ku kishin mbërritur në Rinas, ndërsa në aeroport janë prezantuar me dokumente greke.

Palestinezja u gjet e pajetë pas një sinjalizimi në polici nga pronarja e banesës që vërejti se nuk kishte asnjë lëvizje në objektin qe kishte dhënë me qira. Rayyan u gjet e masakruar me thikë dhe nga kamerat e sigurisë, policia ka zbuluar se 49-vjecari u largua më 22 shkurt, herët në mëngjes, për të udhëtuar fillimisht drejt Athinës e më pas drejt Amsterdamit, ku dhe ka zhdukur gjurmët.