11 gusht 2015 – Që Papa Francesku është një ndër Papët më të thjeshtë të historisë kjo dihet, por Ati i Shenjtë është njëkohësisht edhe  një ndër Papët më të lidhur me sportin. Ka pozuar me fanellat e disa skuadrave të ndryshme, dihet botërisht që është tifoz i San Lorenzos dhe ka pritur në Selinë e Shenjtë dhe bashkëkombasin e tij Diego Armando Maradonën.

Së fundmi Papa Francesku ka demonstruar edhe një tjetër herë lidhjen e tij me sportin. Gjatë një takimi me të rinjtë, Papa ka takuar edhe një besimtare që ishte paraqitur me një fanellë me ngjyrat e Brazilit. Papa nuk ka ngurruar për ta pyetur nëse është braziliane, por pyetja që vlen 100 milionë dollarë ka ardhur menjëherë më pas.

Është më i mirë Pele apo Maradona? Pele është përgjigjur vajza, ndërsa episodi ka shkaktuar menjëherë ilaritet në sallë, megjithëse pyetja e fundit e Papës është vërtet një nga ato që duhet ndihmë nga lart për të dhënë një përgjigje të saktë, pasi debati Pele apo Maradona është i destinuar të mbijetojë gjatë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/