Partizani ka fituar derbin e kryeqytetit me Tiranën me rezultatin 2-1. Sfida e luajtur në “Air Albania dhuroi spektakël deri në sekondat e fundit. Pikërisht në fundin e lojës u vendos gjithçka.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në të dytën, dy trajnerët Abilaliaj dhe Ahmataj bënë zëvëndësime të cilat dhanë rezultat. Në të 79-ën ishte Gueye i cili zhbllokoi rezultatin duke kaluar Partizanin në avantazh. Një top nga kornja u zhyt në rrjetë nga Gueye me kokë.

Minutat e mbetura kaluan me presionin e bardhebluve në kërkim të barazimit.

Dhe ishte i zakonshmi, Florent Hasani i cili shfrytëzoi një moment të lirë në zonë duke çuar topin në rrjetë në minutën e 90.

Por vetëm 1 minutë më vonë Partizani realizoi sërish me Keko, i cili vetëm sa e preku një top të devijuar.

Sekondat e fundit ishin vërtetë emocionuese, pasi Tirana ishte e gjitha përpara dhe pak përpara vërshëllimës një top nga kornja për pak sa nuk shkoi në rrjetë, nga goditja e portierit të Tiranës i cili kishte dalë në sulm.

Me këtë fitore Partizani shkon në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Tirana mbetet me 13 pikë.